Samiti i Sofjes, sot takimi BE-Ballkani Perëndimor

Zyrtarët e lartë të mbi 30 vendeve evropiane, mblidhen sot në Sofje të Bullgarisë në takimin e lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi që është i pari i këtij lloji pas 15 vjetësh, synon të rikonfirmojë ardhmërinë evropiane të vendeve të rajonit.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se takimi i së enjtes është një mundësi për të dyja palët.

Takimi i sotëm shihet si një rikthim i vëmendjes së Bashkimit Evropian drejt Ballkanit pas një periudhe të gjatë, por ai nuk pritet të jetë më konkret nga ç'kishte qenë takimi i Selanikut 15 vjet më parë.

Zyrtarët evropian pritet të ritheksojnë qëndrimin se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë asnjë vend që nuk i ka të zgjidhura konfliktet dypalëshe, duke vënë theksin tek normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhja e kontestit rreth emrit të Maqedonisë.

"Për të qenë subjekt dhe jo objekt i politikës globale, Evropa duhet të jetë e bashkuar ekonomikisht, politikisht dhe po ashtu ushtarakisht si kurrë më parë", tha Tusk duke nënvizuar se përveç sfidave tradicionale politike, siç janë ndikimi i Kinës dhe qasja agresive e Rusisë, tash Evropa po përballet me dukurinë e re që ai e quajti qasje tekanjoze të administratës amerikane.