Çështja ‘Xhafaj’/ Kryemadhi: Plan mafioz uzurpimi

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e quan plan mafioz uzurpimi çështjen “Xhafaj”. Në një intervistë ekskluzive për Report Tv, Kryemadhi akuzon ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj se ka manipuluar ndryshimin e pikës F të nenit 491 për ekstradimet.

Sipas saj, emaili i mbërritur nga komisioni i Ligjeve, i cili po hartonte ndryshimet e Reformës në Drejtësi, nuk ka qenë zyrtar dhe anëtari i LSI në këtë tryezë, Petrit Vasili, nuk e ka lexuar.

“Çështja Xhafaj, një plan mafioz uzurpimi. Ne nuk e kishim përpara pikën “F” kur e votuam. Email i mbërritur nuk është zyrtar dhe Petrit Vasili nuk e ka lexuar. Ne nuk menduam që maskarallëku do të shkonte në këtë farë feje”, tha ajo.

Kryetarja e LSI kërkon tërheqjen e nenit që sipas saj mbron nga ekstradimi në Itali vëllain e Fatmir Xhafajt.

“Të tërhiqet neni që mbron vëllain e Xhafajt”.

Sa i takon zhvillimeve politike, kryetarja e LSI thotë se opozita nuk ka hequr dorë nga mosbindja civile. Ajo garanton gjithashtu se asnjë deputet i LSI-së nuk do kalojë me PS-në, pavarësisht lëvizjeve të dyshimta të tre deputetëve të Kryemadhit.

Nuk e kemi harruar mosbindjen civile. Asnjë deputet i LSI-së nuk kalon me PS. Deputetët tanë që votuan, votuan për të shpëtuar mandatin. Largimi i deputetëve të LSI është tymnajë e Edi Ramës. Më vjen keq ta zhgënjej Ramën, por nuk më merr asnjë deputet.