Aksident tragjik, vdes në moshën 37-vjeçare ish-lojtari

Ish-mbrojtësi i Aston Vilës dhe Boltonit në kampionatin anglez, Jlloyd Samuel, ka humbur jetën pas një aksidenti tragjik.

Lajmi është dhënë si nga klubi i Aston Vilës, ashtu edhe nga Federata e Futbollit të Trinidad-Tobagos, që ka lëshuar një komunikatë për shtyp: “Morëm lajmin e tmerrshëm se ish-mbrojtësi i Kombëtares sonë, Jlloyd Samuel, ka vdekur në një aksident rrugor sot në Angli. Ai po kthehej në shtëpi pasi kishte çuar fëmijët në shkollë dhe një makinë e përplasi për vdekje. Federata dhe ish-shokët e kombëtares i çojnë ngushëllimet më të ndjera familjes në Angli dhe të afërmve në Trinidad-Tobago”.

Gjithashtu edhe klubet angleze të Aston Vilës dhe të Boltonit kanë njoftuar për vdekjen e ish-lojtarit.

Ish-futbollisti 37-vjeçar ishte ndarë nga futbolli profesionist në vitin 2015, ndërsa ka luajtur mbi 300 ndeshje në futbollin profesionist.