Shpërthim i fuqishëm tritoli në Mëzez, plagosen rëndë burrë e grua

Një shpërthim i fuqishëm tritoli ka ndodhur në një shtëpi private në Mëzëz të Tiranës, si pasojë e të cilit janë plagosur rëndë burrë e grua, Lulzim e Lirie Selfo rreth të 40-ve. Eksplozivi ishte vendosur në derën e shtëpisë së tyre. Rreth orës 6:22 ata kanë dalë në oborrin e shtëpisë dhe në momentin kur kanë hapur derën, ai ka shpërthyer duke i plagosur. Të dy janë dërguar në spital me plagë dhe tronditje, por jashtë rrezikut për jetën.

INFORMACIONI NGA POLICIA E TIRANES:

Më datë 15.05.2018, rreth orës 06:22 në zonën e Mëzezit, dy shtetasit L. S., dhe L. S., (bashkëshortë) kanë qënë duke dalë për në oborrin e shtëpisë dhe në momentin që kanë hapur derën e shtëpisë ka ndodhur një shpërthim ku si pasojë e shpërthimit kanë mbetur të dëmtuar të dy bashkëshortët. Shtetasit e dëmtuar janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.