Hapja e Ambasadës Amerikane në Jerusalem, ambasadori Friedman shpreson për progres në procesin e paqes

Nga sot pasdite, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Izrael do të nisë funksionimin në Jerusalem, i njohur tashmë si kryeqytet i vendit nga ana e Presidentit Donald Trump. Në prag të zhvendsjes në kryeqytetin e ri, Ambasadori i SHBA David Melech Friedman dhe Victoria Coares, Asistente Speciale e Presidendit dhe Drejtore e Lartë për Vlerësimin Strategjik në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, mbajtën një telekonferencë për shtyp me korrespondentët e medias ndërkombëtare. 

Departamentin Amerikan i Shtetit ka zbardhur bisedën e dy zyrtarëve me korrespondentët, ndërkohë që Ambasadori Friedman ka shprehur kënaqësinë për atë që ai e ka quajtur “një ngjarje historike”.

“Jemi të lumtur e të kënaqur që marrim pjesë në një ngjarje të tillë historike. Kemi punuar pa pushim për të qenë gati për ceremoninë e së hënës ku do të presim rreth 800 njerëz. Jemi shumë krenarë për faktin që arritëm ta hapnim ambasadën para afatit dhe nën koston e parashikuar”, tha Friedman, para se të priste pyetjet.

David Clark, AFP: Shpërngulja e Ambasadës në Jerusalem është një kërkesë e hershme e qeverisë izraelite. A ju janë bërë ndonjë lëshim për shqetësimin tuaj në lidhje me rinisjen e procesit të paqes?

Friedman: Vendimi i hapjes së Ambasadës në Jerusalem u mor nga Shtetet e Bashkuara dhe në interes të Shteteve të Bashkuara. Sigurisht që Izraeli e dëshironte këtë, e kishte kërkuar dhe është i lumtur me këtë. Por vendimi u mor sepse u pa e arsyeshme se kështu ishte në të mirë të SHBA dhe diçka që Presidenti i kishte premtuar gjatë fushatës. Nuk ka pasur asnjë marrie apo dhënie premtimesh nga Izraeli në lidhje me këtë vendim.

Sarah Macklin, NPR: Administrata e mëparshme amerikane kanë pasur shqetësimin se një lëvizje e tillë mund të prishte atë sadopak ekuilibër që ekziston për momentin në Lindjen e Mesme. Si mendoni se do të ndikojë në gjendjen shpirtërore të rajonit?

Friedman: Ne përqendrohemi me shumë kujdes në mjedisin rreth nesh. Ka njerëz të lumtur me vendimin, ka të të mërzitur. Mendoj se është shumë herët për të matur reagimin. Duke menduar për një të ardhme afatgjatë, jemi të bindur se ky vendim krijon mundësinë dhe platformën për të vazhduar me procesin e paqesë mbi bazat e realitetit në vend të fantazisë dhe jemi optimistë se do të ketë më tepër stabilitet.

Coates: Mund të shtoja se ministri i jashtëm i Bahreinit ka shkruar në Twitter se e përkrah të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje kundër agresionit iranian. Kjo mendoj që i jep fund besimit për izolimin e Izraelit në rajon.

Felicia Schwartz, WSJ: Duket se Administrata Trump po bëhet shumë e afërt me qeverinëe Netanyahut. Cila është marrëdhënia midis Trumë e Netanyahut dhe çfarë mendoni për perspektivën dhe interesat e përbashkët?

Friedman: Izraeli ka qenë gjithmonë një aleat i rëndësishëm i SHBA dhe është bërë edhe më i rëndësishëm me kalimin e kohës, pa pasur lidhje me marrëdhëniet midis liderëve. Kjo është një marrëdhënie shumë e rëndësishme. Presidenti Trump dhe Kryeministri Netanyahu kanë një marrëdhënie të ngushtë respekti e besimi reciprok, çka jrijon atmosferë pozitive. Por e përsëris që SHBA e mori vendimin bazuar në të mirë të interesave të saj.

Josh Lederman, AP: Çfarë mund të thoni rreth izolimit që kjo ka krijuar midis SHBA dhe disa aleatëve evropianë e të tjerë?

Friedman: Ne nuk jemi izoluar nga aleatët tanë. Herë pas here kemi mosmarrëveshje të shëndetshme, por ky vendim nuk ka krijuar ndonjë lloj izolimi.

Coates: Më 13 prill ne kryem një operacion të përbashkët me britanikët e francezët kundër Sirisë, çka ishte pas vendimit për Jerusalemin. Ky vendim nuk ka asnjë ndikim në mënyrën se si punojmë me aleatët tanë evropianë.

Said Arakat, Al Quds: E konsideroni ende të pushtuar Jerusalemin Lindor? Po Bregun Perëndimor? Cili është statusi i tyre sipas jush?

Friedman: Mendoj se situata në Bregun Perëndimor është unike dhe e paprecedentë në krahasim me vende të tjera gjeografike që kanë çështje të ngjashme. Megjithatë, unë nuk jam politikëbërës dhe do t’ua lë atyre përgjigjen e këtyre pyetjeve në një kohë të përshtatshme.

Donia Chiacu, Reuters: A ka ndonjë plan delegacioni amerikan në ceremoni të takohet me autoritete palestineze gjatë vizitës dhe cili do të jetë efekti i hapjes së ambasadës në perspektivën e paqes?

Friedman: Nuk jam në dijeni për ndonjë takim midis anëtarëve të delegacionit me palestinezët, por kjo nuk do të thotë që s’mund të takohen, thjesht unë nuk kam dijeni.

Për sa i përket procesit të paqes, mendoj se ai do të ecë përpara. Nga përvoja ime me shumë palestinezë, them se ka interesim të madh për paqen, për një jetë më të mirë, arsim më të mirë, rrugë, spitale dhe të gjitha këto bëhen të mundshme vetëm nëse në rajon do të ketë më tepër paqe dhe më pak dhunë. Ndaj të gjithë jemi të përkushtuar për të. Presidenti, zoti Kushner, zoti Greenblatt po punojnë shumë dhe mbetemi optimistë se do të ketë progres domethënës.