SHBA hapi ambasadën në Jerusalem, ja reagimi i Erdogan dhe Putin...

Shtetet e bashkuara të Amerikës zyrtarizuan sot hapjen e ambasadës së tyre në Jerusalem, vendim i firmosur më 6 dhjetor nga Presidenti Donald Trump.

Gjatë vizitës së tij në Londër, Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, tha se Uashingtoni ka humbur tashmë rolin e ndërmjetësuesit në Lindjen e Mesme.

“Me hapin e fundit, SHBA preferoi të jetë pjesë e problemit, jo e zgjidhjes. Edhe një herë, ne e hedhim poshtë këtë vendim, i cili po shkel ligjin ndërkombëtar dhe kundërshton rezolutat e OKB-së”, theksoi Erdogan.

Presidenti turk nënvizoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë sa më parë për t’i dhënë fund agresivitetit në rritje të Izraelit.

“Po të ishte gjallë Shekspiri dhe do të rishkruante sot Hamletin e tij, unë besoj se ai do ta bënte Princin Hamlet të thoshte të njëjtën gjë: ‘Bota është jashtë binarëve’”, tha Erdogan, duke e cituar shkrimtarin e famshëm anglez.

Rusia thekson se është e shqetësuar për rritjen e tensioneve në rajon pas zhvendosjes së ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Moska ka ka kërkuar qetësi lidhur me situatën e krijuar mes Izraelit dhe Palestinës. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, në një takim të zhvilluar me  koordinatorin special të Kombeve të Bashkuara për paqen në Lindjen e Mesme, theksoi se situate është e bllokuar.

“Ky bllokim është thelluar edhe më shumë me vendimin e SHBA-ve në drejtim të Jeruzalemit”, tha Lavrov.