Nëse Interi mbetet jashtë Championsit, mësoni se çfarë do të ndodhë me Icardin

Mauro Icardi e lëshoi vetë një sinjal pas ndeshjes së humbur me Sasuolon, se do të bisedojë të ardhmen e tij me drejtuesit në fund të sezonit dhe pret që të bëhet më e mira e mundshme për klubin.

Nëse shumë prej tifozëve zikaltër nuk e pëlqyen deklaratën e “Mauritos”, vetë sulmuesi dhe kapiteni ka dashur që të korrigjojë “goditjen”, kur i ndjekur nga gazetarët në rrugët e qytetit ka deklaruar: “E ardhmja ime? Unë do të isha i lumtur që të qëndroja tek Interi”.

Por, edhe kjo përgjigje fsheh shumë enigma prapa, sepse thashethemet kanë nisur dhe tashmë duket se janë drejtuesit e “Suning” ata që po mendojnë shitjen e 25-vjeçarit, edhe pse shumë do të varet nga Championsi.

Nëse ky objektiv nuk do të arrihet, atëherë Icardi me shumë mundësi do të shitet, sepse Interi vazhdon të mbetet jashtë normave të “Fair Play Financiar” të UEFA-s dhe pa vendin e katërt një sakrificë e tillë është e nevojshme, ndryshe drejtuesit e “Suning” nuk do të kenë para për të lëvizur në merkaton e verës.