Përfundon rikualifikimi urban i bllokut të banimit tek 'Don Bosko'

Rrugë më të mira, trotuare, lulishte dhe një kënd lojërash për fëmijët në bllokun e banimit në rrugën “Foto Janku” në “Don Bosko”. Investimi e ka shndërruar këtë hapësirë në një mjedis çlodhës për qytetarët dhe argëtues për fëmijët.

Ky shesh rekreativ është pajisur edhe me një kënd lojërash për fëmijët sepse sipas kryebashkiakut Veliaj që e përuroi, fëmijët janë qytetarët më të rëndësishëm të qytetit. “A nuk na mësuan diçka fëmijët me historinë e mbjelljes së pemëve? Falë tyre mbollëm 122 mijë pemë sepse secili thoshte: dua të mbjell pemë për ditëlindje. Fëmijët po na mësojnë gjëra që ne të rriturit i kemi harruar, edhe për mënyrën se si e përdorim hapësirën publike. Sot në një qytet me 1 milionë vetë, 300 mijë janë fëmijë. A nuk e meritojnë ata 1/3 e hapësirës së qytetit? Kjo është arsyeja pse po ndërtojmë kënde lojërash në çdo lagje”.

Lidhur me tregjet, kryebashkikua tha se Tirana ofron sot mbi 22 tregje, ku çdo qytetar mund të shesë në mënyrë të civilizuar, pa qenë nevoja të zaptojë trotuaret. “A ka ndonjë qytet në botë që është civilizuar, që është zhvilluar, duke shitur përtokë? A janë zhvilluar Parisi, Roma, Athina, Barcelona, Stokholmi apo Oslo, se shtrihen të gjithë suedezët, norvegjezët, përtokë? Shikoni Indinë, shikoni Afrikën, nëse doni ta bëjmë qytetin ashtu, eja e bëjmë, por nuk më rezulton që njerëzit janë të lumtur Kalkuta. Ideja është që të bëjmë një qytet europian dhe tani që qeveria është në prag të negociatave me BE, Tirana është kartolina”.