Ku e ka ‘hallin’ Tritani? Disa gafa me listën e barnave të rimbursueshme

Lista e barnave të rimbursueshme është një prej aktiviteteve që prek shumë biznese farmaceutike dhe një xhiro ku luhen miliarda lekë çdo vit. Një minierë fitimprurëse.

Për vitin 2018, Ministria e Shëndetësisë nguroi ta bënte publike këtë listë, por më pas lista “rrodhi”, për pasojë kanë nisur reagimet e para.

Interesant shfaqet reagimi i deputetit të opozitës (ish-ministër i Shëndetësisë) Tritan Shehu.

Zoti Shehu dje i kushtoi një status në Facebook kësaj liste dhe u mor specifikisht me një ilaç që lidhet me kurimin e personave të prekur nga talasemia.

Zoti Shehu shprehet se nga lista e rimbursimit është hequr medikamenti “EXJADE”  i cili është prodhim ekskluziv (patentë) i koorporatës farmaceutike “Novartis”.

Por një verifikim elementar në listën e barnave të rimbursueshme, tregon se ky ilaç është i renditur në listë dhe nuk është hequr.

Më tej zoti Shehu shprehet në reagim se ilaçi është zëvendësuar me dy ilaçe të tjera që importohen në Shqipëri nga dy kompani të veçanta turke.

Zoti Shehu përmend vetëm emrin e një prej ilaçeve të importuara në Turqi dhe ka shmangur përmendjen e ilaçit të dytë.

Zoti Shehu nuk sqaron nëse futja e dy ilaçeve të reja nga Turqia për talasemikët, është në kundërshti me praktikat ligjore.

Zakonisht kompania që ka ekskluzivitetin e ruan këtë ekskluzivitet për furnizim nga 5-10 vite dhe më pas i hapet rruga dhe kompanive të tjera të prodhojnë apo të importojnë.

Në të parin reagim nga opozita për listën e barnave të rimbursueshme, zoti Shehu ka të paktën 3 probleme.

Ka pretenduar se ilaçi “EJXADE” është hequr nga lista, por ky pretendim rezulton mashtrim publik.

Nuk jep asnjë shpjegim të arsyetuar pse dy ilaçet e tjera të importuara në Turqi nuk duhet të regjistrohen në Shqipëri?

Pasi përmend dy ilaçet e reja në listë, zoti Shehu për arsye ende të pashpjeguara, përmend nominalisht vetëm njërin prej ilaçeve turke.

Për të mos thënë që reagimi i Shehut nuk parashtron asnjë efekt ekonomik apo asnjë analizë për ndikimin në treg të futjes së dy ilaçeve të reja. Zero.

Zoti Shehu duket posaçërisht i shqetësuar për kompaninë ‘Novartis’, duke ofruar argumente të rreme mbi heqjen e ilaçit të kësaj kompanie nga tregu dhe duke u shfaqur si një agjent marketingu i kësaj kompanie dhe jo si një deputet i mandatuar, për më tepër në opozitë.

/Hashtag.al