Arrestimi i Tahirit, reagon Vlahutin, por nuk e përmend emrin e ish-ministrit

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka reaguar ditën e sotme në lidhje me arrestimin e Saimir Tahirit dhe hetimet e tjera.

Me një deklaratë të shkurtër nga zyra e BE-së ku ambasadore është aktualisht Romana Vlahutin, përveç se nuk përmendet emri i ish-ministrit të Brendshëm, kërkohet edhe që ‘prezumimi i pafajësisë është një element themelor i së drejtës’.

Reagimi i delegacionit të BE-së:

Bashkimi Evropian përgëzon punën e autoriteteve të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe zhvillimet e fundit pozitive lidhur me hetimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërsa rikujton se prezumimi i pafajësisë është një element themelor i së drejtës për një procedurë të drejtë gjyqësore, Bashkimi Evropian gjithashtu shpreh pritshmërinë e tij që autoritetet shqiptare ta vazhdojnë me vendosmëri luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është thelbësore për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.