PD denoncon një tjetër shkelje/ Magjistratët testohen për aftësitë profesionale në fshehtësi të plotë

Deputeti demokrat, Gent Strazimiri në një konferencë për mediat, ka denoncuar një tjetër shkelje që po ndodh në vendin tonë.

Sipas tij Shkolla e Magjistraturës shkel ligjin duke bërë testin e aftësive profesionale të magjistratëve në fshehtësi të plotë.

Ai tha se mungesa e transparencës dhe shkelja e ligjit janë tregues se procesi është i korruptuar dhe i deformuar nën ndikimin e plotë të Qeverisë.

Deklarata e plotë:

Shkolla e Magjistraturës është vënë në shërbimin politik të Edi Ramës për të ndikuar vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke rrëzuar një nga shtyllat kryesore të reformës në drejtësi.

Në kundërshtim me ligjin e vettingut, Shkolla e Magjistraturës ka zhvilluar testimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit në fshehtësi të plotë, pa transparencë dhe pa asnjë njoftim publik.

Ky proces i drejtuar nga kamikazi i Edi Ramës në Shkollën e Magjistraturës është jetik për të ardhmen e sistemit dhe mungesa e transparencës është shenjë e qartë se po zbatohet projekti i Edi Ramës për kapjen e drejtësisë përmes emërimeve të reja.

Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për mungesën e transparencës në këtë proces jetik për garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe eficencën e tij.

Shkolla e Magjistraturës ka detyrimin të informojë publikisht për datën e zhvillimit të këtij procesi. Testimi i aftësive profesionale për gjyqtarët dhe prokurorët  e rinj në shkelje të ligjit të vettingut dhe në mungesë të plotë transparence është treguesi që procesi është i korruptuar dhe i deformuar dhe që po zhvillohet nën ndikimin e plotë të Qeverisë.

Partia Demokratike nuk do të njohë asnjë proces të rekrutimeve të reja në sistemin e drejtësisë që është i korruptuar, jo transparent dhe i ndikuar politikisht.

Shmangia e ndikimit politik mbi sistemin e drejtësisë dhe eleminimi i kulturës së pandëshkueshmërisë, si qëllime madhore të Reformës në Drejtësi, janë e vetmja mënyrë për të siguruar një sistem drejtësie për qytetarët dhe që mbron të drejtat dhe liritë themelore të tyre.