Hetimi: Provat e reja që burgosën në shtëpi Saimir Tahirin

Kërkesa për vendosjen e masës së sigurisë arrest me burg ndaj ish-ministrit të Brendshëm është bërë nga prokuroria pas marrjes së provave të reja, bënë me dije burime nga organi i akuzës. Saimir Tahiri akuzohet nga prokuroria e Krimeve të Rënda për konsumim të veprave penale: “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Kërkesa për masën e arrestit me burg i është paraqitur Gjykatës së Krimeve të Rënda nga Prokuroria dy ditë më Parë. Ditën e djeshme, gjatë orëve të pasdites, gjykata nisi shqyrtimin e kërkesës dhe vendosi arrest shtëpie në banesën e tij të “Kodra e Diellit” në Tiranë, ndaj ish-ministrit. Sipas vendimit të gjykatës, u vendos një masë më e zbutur se arresti me burg, pasi personi nën hetim Saimir Tahiri, nuk ka rrezik ikje apo të fshehë apo zhdukë prova, që do të dëmtonin hetimet.

Vendim që duket se nuk kënaqi as Prokurorinë, që kërkoi arrest me burg dhe as palën e pandehur. Avokati i Tahirit u shpreh për mediat se do apelojë vendimin e gjykatës, e firmosur nga gjyqtarja Lilja Baku. Maks Haxhia tha se prokuroria nuk paraqiti asnjë provë të re.

Por, burime nga organi akuzës thanë për “SYRI.net” se masa e sigurisë “arrest me burg” ndaj Tahirit u kërkua pas përgjigjeve që kanë sjellë autoritet Italiane dhe Greke, lidhur me këtë çështje.

Të njëjtat burime sqaruan se Prokuroria ka marrë në dorëzim përgjime të reja ku përmendet emri i Tahirit dhe të dhëna lidhur me hyrje-daljet dhe kohën e qëndrimit të Tahirit në shtetet fqinje, me personat nën hetim ose të arrestuar, lidhur me këtë çështje. Të dhëna këto që i përkasin periudhës kohore 2015-2016.

Këto materiale, për organin e akuzës provojnë përfshirjen e Tahirit më trafik droge dhe konsumimin nga ana e ish-ministrit të dy veprave penale për të cilat akuzohet.