Foto/ Drejtorja e Mbikëqyrjes së Aeroporteve pa diplomë të njehsuar universitare

Eda Gazheli, me detyrën aktuale drejtor i Drejtorisë së Mbikëqyrjes së Aeroporteve dhe Aerodromeve Civile vijon të jetë në detyrë prej disa vitesh edhe pse diploma që ajo disponon nuk është ligjërisht e vlefshme për  të merituar emërimin në këtë post drejtues.

Përveç burimeve konfidenciale nga drejtoria e Mbikqyrjes së Aeroporteve fakti del i konfirmuar edhe nga një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) i vitit 2016, por edhe nga Departamenti i Administratës Publike (DAP), të cilët janë shprehur kundër qëndrimit të znj. Gazheli në postin e drejtuesit për arsye se, sikurse lexohet në draft-raportin e KLSH-së: “…dokumentacioni i dosjes së saj individuale nuk është i plotë. Nga që vjen në kundërshtim me nenin 37 të Ligjit nr.9741,dt. 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Si arsye të kundërshtimit KLSh, por edhe DAP, kanë artikuluar mos-njehsimin e diplomës së studimeve universitare të znj. Eda Gazheli, e cila si të tillë ka paraqitur  vërtetimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. nr.2/545/1, me anën e të cilit vërtetohet se znj. Eda Gazheli ka dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dokumentacionin  për njohjen e diplomës për studimet e kryera në Akademinë e Studimeve Ekonomike të Bukureshtit, Rumani, Fakulteti  Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare, profili Ekonomik, specializim Ekonomi Botërore.

Referuar faktit që periudha e vlefshmërisë së vërtetimit për njehsimin e diplomës së znj. Eda Gazheli ka mbaruar në datën 06.08.2015 (mbi dy vite), ndërkohë që afati i vlefshmërisë është 3 muaj, si dhe fakti që dosja individuale që AAC administron nuk përmban dokumentacionin që provon njehsimin e diplomës, grupi i auditimit të DAP konstaton që znj. Eva Gazheli nuk disponon diplomë universitare të vlefshme, sipas ligjeve në fuqi në RSH, e, për pasojë, nga AAC duhet ti ndërpriten marrëdhëniet e punës në mënyrë të menjëhershme”.

Kështu është shprehur Kontrolli i Lartë i Shtetit në relacionin mbi znj. Gazheli, të 2 viteve më parë,  gjë që e ka përforcuar edhe DAP, pas këqyrjes së dosjes.

Ajo që çudit në këtë mes është fakti se më pas si KLSH ashtu edhe DAP kanë heshtur për arsye të pashpjeguara, por të marra me mënd, duke i dhenë mundësi kështu znj. Gazheli të vijojë të jetë në krye të drejtorisë duke patur si dokument universitar vërtetimin e Ministrisë së Arsimit, që ka vlefshmëri vetëm 3 muaj, dhe jo njehsimin i cili e zyrtarizon qënien e znj. Gazheli  me diplomë universitare.

Mosreagimi administrativ ndaj shkeljeve te konstatuara edhe nga dy institucionet e përmendura me sipër patjetër qe lidhen me mbështetjen politike qe gëzon zonja drejtoreshe  e cila njëherësh është bashkëshorte e ambasadorit te Shqipërisë ne Turqi, zotit Gazheli. Ky kriter mesa duket respektohet pasueshem nga gjithë drejtoret e përgjithshëm te institucionit ku zonja Gazheli vijon te mbetet drejtoreshe jashtë kritereve dhe sidomos pa respektuar detyrimet për dokumentacionin e vet ne burimet njerëzore.