Arresti ndaj Tahirit, reagon ambasada amerikane

Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që dha masën e arrestit shtëpiak, ndaj ish-ministrit të Brendshëm, për akuzat: “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Në reagimin e ambasadës amerikanë, përveç Tahirit, përmenden edhe arrestimi i Arbër Çekajt disa ditë më parë në Gjermani, pronari i kompanisë ku e sekuestruan rreth 613 kg kokainë në shkurt dhe arrestimet e anëtarëve të grupit të Met Kananit, komunikuar sot nga Policia.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret përparimin e bërë nga Shqipëria në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vendimi i gjykatës për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata”, thuhet në një reagim të ambasadës.

“Arrestimi i Met Kananit në Turqi dhe 14 anëtarëve të bandës së tij kriminale në Shqipëri është shenjë e seriozitetit të policisë dhe prokurorëve për të vënë në shënjestër krimin e organizuar. Së fundi, arrestimi i trafikantit të dyshuar të kokainës Arbër Çekaj në Gjermani dhe kërkesa për ekstradimin e tij në Shqipëri është shenjë se pandëshkueshmëria ka marrë fund për bosët e krimit në këtë vend. Përgëzojmë punën e vështirë dhe me kurajë të Policisë së Shtetit, Prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe Gjyqtarëve të Krimeve të Rënda”, vijon reagimi.