Roitja e Shokut Gramoz!...

Ftesën e përsëritur një ditë më parë për të qenë i pranishëm në një aktivitetet që organizohen nga Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi e refuzova me të njëjtin argument që e kam bërë edhe disa herë të tjera në këto 8 muaj që ai ka marrë detyrën.

Nuk dua ti shtrëngoj dorën një ultrakomunisti të papërgjegjshëm që në 2 Prill vrau 4 të rinj të pafajshëm në Shkodër si Ministër i Brendshëm. Atëherë kur po mendoja se refuzimi i vazhdueshëm i një ftese të përsëritur nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë (kushdoqoftë ai, fundja edhe një ish komunist i zgjedhur me votë), ishte mungesë takti raportesh mes një gazetari dhe një institucioni, kuptova që nuk e kisha gabim.

Gramoz Ruçi nxori sot edhe njëherë nga fustanella labe me të cilën çau ferrën nga frika në vitin 1997, teserën e përkatësisë së tij komuniste. Nëse u shqetësuam se pak ditë më parë ca pleq të rroitur dolën sërish me fotot e Dullës dhe Mehmetit në duar duke i bërë rixha farës së kuqe, ajo që ndodhi sot me roitjen e Gramoz Ruçit është akoma më e rëndë.

Askush nuk ka dyshim se Ruçi flen e zgjohet çdo ditë me ëndrrën kur jepte urdhra direkte tipike KGB-je për të shpërndarë turmat e të rinjve që kërkonin “Shqipërinë si gjithë Europa” të tipit: “Goditni ashpër qysh në fillimet e grumbullimeve.

Për të paralizuar ata që nga turmat mund të godasin me armë forcat tona, zini lartësitë dominuese me qitës të përgatitur”. Sot 27 vjet më pas, Gramoz Ruçi sot për turpin e çdo shqiptari Kryetari i Kuvendit nuk ka ndryshuar qëndrim. Në ditën e themelimit të BE-së, Shoku Gramoz gjeti kurajon të thotë atë që një mendje e shëndoshë nuk duhet të guxonte ta thoshte përballë një populli që vuajti regjimin më gjakatar komunist.

“E di që do më quani nostalgjik, por fakt është që në komunizëm nuk kishte as drogë, as korrupsion e as kriminalitet”.

Imagjinoni për një moment Volfgang Shojble, kryetarin e Bundestagut gjerman të deklaronte se gjatë regjimit Nazist disa fenomene të kohës modern nuk ekzistonin. Me shumë gjasë sot ndërtesa e Bundestagut do të ishte djegur ndërsa Shojble do të ishte rrugës për në Argjentinë ku do të kërkonte strehim njësoj si dikur bashkëpunëtorët e Hitlerit pas Luftës së Dytës Botërore. Sigurisht që më shumë se një njeri do të thoshte që nuk është rasti që ne të djegim jorganin e Shqipërisë për një plesht komunist.

Problemi është që në këtë rast rezulton se insekti në fjalë mban postin e Kryetarit të Parlamentit. Atëhere kur mendojmë se disa gjëra nuk duhen vënë re, aty për aty ne bëjmë gabimin e pafalshëm si shoqëri. Heshtja prej neverisë që i kemi rezervuar shpërthimeve të paturshme të ultrakomunistëve të pandreqshëm si Shoku Gramoz, po rezulton dita ditës si dënimi që i kemi taksur vetes për krime që nuk i kemi bërë.

“Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”- na u tha dikur që të mbyllnim gojën! Fakti që sot e 27 vjet nuk kemi një ligj për ndalimin e simboleve dhe pse jo edhe të diskursit pro-komunist në publik, është e pafalshme. Shpresa se këtë do ta korrigjojë PD-ja me lidershipin e saj letargjik është trishtim.

Ama çdo mendje e ndritur e këtij vendi e ka sot një hapësirë mendimi ku të mund të flasë kundër roitjeve të Shokut Gramoz me shokë, dhe kush nuk e bën atëherë realisht nuk e kupton se ku kemi përfunduar. Shoku Gramoz e quajti veten sot me delikatesë si nostalgjik kur kujtoi “sukseset” e komunizmit. Për një çast eshtrat Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës lëvizën nga vendi.