Dëshmorë, të lënë rrugëve, pemë dhe Vetting!

Për ironi të fatit, sot më 5 Maj që në Shqipëri njihet si dita e dëshmorëve, shënjohet dhe afati i fundit i Vettingut në polici.

Përpara disa ditësh një inspektor në drejtorinë e Fierit, i cili sipas dëshmive të familjarëve nuk përballoi dot presionin psikologjik të sitës që po i bëhet gjithë trupës së uniformave blu, u bë “vetë-dëshmor” i kësaj etape të re.

Pas asaj që i bëri policisë ish-ministri Saimir Tahiri, i cili e uli nivelin e drejtorëve dhe gjithë zinxhirit drejtues deri shndërrimin e tyre në shërbëtor, edhe të bandave ordinere si ajo e Habilajve, për hir të së vërtetës, ky vetim duhet. Duhet, pavarësisht se ka hije të forta dyshimi se kokat e policisë të mbështetura nga politika dhe që janë shndërruar në milioner, ka gjasa që të shpëtojnë.

Në një dalje publike, zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj i cili është marrë me këtë proces, përball një prej kuadrove dhe specialistët më të spikatur të policisë, Erzen Breçani, (sot “rrugëve”, pa uniformë), deklaroi se të drejtën e Vettingut e kanë edhe të gjithë policët e larguar nga puna.

Madje edhe ministri Xhafaj sa herë është pyetur, se ku do të gjenden zëvendësuesit e atyre që nuk do të kalojnë dot këtë sprovë me 18 formularë, ka thënë se të gjithë të larguarit që kanë kaluar me sukses sitën në fjalë, do të rikthehen.

Por këtu duket se ka një “lojë”, të cilën e shpjegon Breçani. Paralelisht me spastrimet masive dhe tërësisht politike që ndërmori Saimir Tahiri sapo u ula në karrigen e ministrit, mazhoranca u kujdes që të nxjerr edhe një ligj, sipas të cilit nëse një pjesëtar i policisë ka më shumë se dy vjet i larguar, nuk ka të drejtë të rikthehet.

Pra “vettingu” për gjithë të larguarit pa të drejtë, nga viti 2013 deri në 2016-ë është thjesht, një hipokrizi. Edhe nëse e kalojnë, ligji i ndalon të rikthehen. Sipas Breçanit e vetmja zgjidhje është sërish vullneti politik; heqja e këtij ligji nga mazhoranca që ka shumicën në parlament.

Mes tyre, me ligj në fuqi, apo të hequr nëse do të ndodh, një prej të larguarve pas vitit 2013 është e sigurt që nuk do të mund të kthehet dot më, edhe pse ai e kaloi “vettingun” e popullit.

Artan Cuku e kaloi sitën, duke firmosur 18 formularët me gjakun e tij. U vra sepse nuk kishte as uniformën dhe as armën, që ta mbronte nga krimi i organizuar të cilit i kishte treguar ashpër forcën e ligjit.

Sot ministri Xhafaj me rasti e 5 majit deklaroi, se qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve gjatë demokracisë e kanë paguar me jetë 222 uniforma blu (në fakt janë më shumë) dhe shtoi se; “Kjo ditë është njëherësh edhe një moment reflektimi për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë”.

Nuk kuptohet qartë se çfarë nënkupton me fjalën “reflektim” ministri, por e sigurt është që ndërkohë që policëve të thjeshtë po ju numërohen edhe kacidhet e emigracionit apo orët shtesë të shërbimit, në parlament, tatime, dogana, në administratën e lartë shtetërore ka plotë eksponent dhe ushtarë të krimit, të cilët do ti bënin “nder” vetes dhe shtetit, nëse do të ishin vetëm të korruptuar.

Pak ditë më parë nga fundi i “aksionit-uragan” për mbjelljen e pemëve në kryeqytet, nga mediat nuk ju dha rëndësia e duhur një nisme modeste, por shumë domethënëse.

Një komisar policie, oficer karriere me 20 vite eksperiencë, Engjëllush Avduli, i kërcënuar dhe i plagosur në detyrë gjatë përplasjeve me krimin e organizuar bashkëpunëtor dhe mik i komisarëve të vrarë gjatë aksioneve, Elham Elezit, Ilir Ngresit, Dritan Lamajt, Artan Cukut, etj, mblodhi me disa kolegë një shumë modeste dhe natyrisht së bashku me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bënë një gjest të ndjerë dhe domethënës për këto kohë. Përkujtuan dhe përjetësuan këta heronj shpesh të harruar dhe të braktisur, duke mbjellë 140 fidanë në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë.

Elham Elezi ish efektiv i spikatur i forcave RENEA, tashmë e ka një pemë te kodrat e liqenit, por varri i tij vazhdon të qëndrojë pas më shumë se 20 vitesh në Sharrë, edhe pse si një hero i rënë në krye të detyrës, i takon të prehet te varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Është detyrë e bashkisë kjo, apo nuk ja ka thënë kush Lali Erit?!

Tashmë dihet se të gjitha qeveritë nuk kanë bërë atë që ju takon, për dëshmorët e policisë, familjet dhe fëmijët e tyre, por koha ka ardhur që të paktën të bëjnë për të gjallët.

Vrasja e paralajmëruar e komisar Artan Cukut tregoi edhe njëherë, që politika është frymëzuesja e guximit të krimit.

As 18 formularët e Xhafajt dhe as pemët e Veliajt, nuk mjaftojnë për reflektim, nëse nuk pritet koka që gjendet në sistem!/po.ho