Rama e ‘vetëvrau’ Tahirin! Kjo është lojë që askush s’e beson!

Rama i gjendur nën një presion të madh ndërkombëtar, pas një takimi kokë më kokë me viktimën Tahiri dhe pasuesin e tij Lali Eri, vendosën të “vetëvrasin” Tahirin me synim për të shpëtuar kaporalin. Mezi ja mbushën mendjen se kjo ishte zgjidhja e vetme. Sepse çdo opsion tjetër ose i hidhte të tre në erë ose i zhyste gradualisht në humnerë. Ranë dakord me idenë se shpëtimi i “kaporalit” i shpëton nga katastrofa, humbja e pushtetit.

Natyrisht Tahiri nën kërcënim mezi pranoi të vetëvritej, sepse shpërthimi i tij do të hidhte në erë Ramën por gjithashtu edhe atë vetë, duke mos pasur asnjë minutë për të bërë plane shpëtimi për të ardhmen e tyre. Opsioni i zvarritjes, përmes kërcënimit reciprok Rama-Tahiri nuk ishte më në dorën e tyre, këtë buton të shpërthimit e kishin në dorë gjermanët.

Rama e ka siguruar Tahirin se nuk do ti ndodhë asgjë duke e siguruar se gjithçka është koordinuar me Prokurorinë dhe Gjyqësorin që i ka nën kontroll. Kjo natyrisht nuk është besuar plotësisht nga Tahiri i cili nuk kishte shumë opsione zgjidhjeje. Tahiri në dilemë mes shpërthimit dhe pranimit të kësaj zgjidhjeje të dyshimtë ka pranuar mesa duket të dytën, të cilën Rama dhe Veliaj ja kanë prezantuar si e vetmja zgjidhje që mban në pushtet Ramën. Pushtet i cili i garanton Tahirit edhe një proces gjyqësor farsë nga i cili ai del i “pastër”. Pra Rama e Veliaj janë munduar të bindin Tahirin se kjo është rruga e vetme, që edhe ata të dy nuk e dinë as vetë sesi do të shkojë. Por se paku ata në këtë mënyrë shmangin shpërthimin e Tahirit i cili në këtë mënyrë do të hidhte në erë Ramën dhe kështu të ardhmen e të treve.

Veliaj madje i është “zotuar” Tahirit se edhe kur të largohet Rama, ai do ta rifusë në politikë për ta lustruar plotësisht. Zotim që Tahiri nuk e beson por që është i detyruar ta gëlltisë nga halli sepse shikon se lakun në fytin e tij nuk e zotëron më vetëm Rama e Veliaj dhe për më tepër kërcënimet e tij ndaj Ramës me dosjen e Olsit vecse i shkurtojnë ditët pa mundur ta shpëtojnë.

Pyetja që shtrohet në këtë rast është: A do të mund realisht Rama ta shpëtojë Tahirin nga burgosja?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje as Rama vetë nuk e di. Rama mendon, se edhe nëse drejtësia nën presionin ndërkombëtar do ta arrestonte Tahirin ai do të lante duart. Sepse ai gjykon se Tahiri, pa mandat dhe i drobitur nga përballja me drejtësinë do të kishte shumë pak mundësi të shpërthente sepse askush nuk do ta besonte që reagoi kaq vonë.

E gjithë kjo skemë ka tre objektiva.

Së pari Rama kërkon ti hedhë sy gjermanëve për kushtin e panegociueshëm të vendosur prej tyre, gjë që ka shumë pak gjasa që gjermanët ta hanë sapunin për djathë. Sepse nëse Tahiri nuk burgoset deri në qershor, dhe nëse Tahiri nuk shpërthen kundër Ramës, laku i ndëshkimit do të kalonte në qafën e Ramës.

Së dyti, Rama është përpjekur të cminojë kamikazin Tahiri, qoftë edhe përkohësisht. Veprim të cilin Tahiri e dyshon shumë se mund ta shpëtonte nga burgosja, madje mendon se këtë kurth ja ka ngritur Rama për të shpëtuar kokën e tij duke bërë atë kurban.

Së treti Rama ka synuar të shtyjë në kohë shpërthimin e Tahirit me mendimin se kështu do të mund të fitonte kohë gjë që do ti jepte më shumë mundësi të ruante pushtetin. Dhe nga ana tjetër të ulte shanset e shpërthimit të Tahirit, pra të mbronte kokën e tij.

Rama do të përpiqet tja shesë gjermanëve këtë veprim si përmbushje të kushtit që i kishin vënë. Nga ana tjetër me siguri Rama do t’ju tregojë atyre se sa e vështirë ka qënë për të çmontuar Tahirin i cili e kërcënonte gjatë të gjithë kohës. Por me siguri gjermanët nuk do të ndalen nga kjo lojë e Ramës, por do të vazhdojnë duke kërkuar burgosjen e Tahirit duke pritur që ai të shpërthejë kundër Ramës.

Sepse realisht gjermanët dinë gjithçka Rama ka bërë dhe mos hapjen e negociatave e lidhin me Ramën.

Syri.net/ 3 maj 2018