Kryemadhi: Veliaj do ketë probleme me rikandidimin, ja çdo bëjmë për zgjedhjet vendore...

Monika Kryemadhi, Kryetare e LSI-së, tha mbrëmjen e sotme se kanë nisur diskutimet dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.

Kryemadhi nuk dha një përgjigje lidhur me faktin nëse do të rikandidohen kryebashkiakët aktualë të saj në bashkitë që drejtohen nga LSI, ndërsa tha se aleanca e kësaj force politike do të jetë me qytetarët.

Kryetarja e LSI-së i ka qëndruar deklarimeve të mëparshme që Erjon Veliaj do të ketë probleme me rikandidimin.

“Veliaj nuk e ka të sigurtë rikandidimin, do të ketë probleme brenda partisë së tij”, tha Kryemadhi.

“Sot nuk është momenti për të diskutuar për zgjedhjet vendore, pasi mendoj se duhen zgjidhur disa probleme që konsiderohen më emergjente.

Në Tiranë kemi 41 mijë vota të egra të LSI, që mund të përmbysim Erjon Veliajn, ne do të bëjmë lojën tonë.

Kam folur me z. Basha për zgjedhjet vendore, për protestat, por deri 45 ditë para zgjedhjeve lokale kemi kohë.

Protesta e 27 janarit tregoi se baza poshtë e dy partive që kanë programe të kundërta e suporton bashkëpunimin.

Po kështu protesta e bllokimit të rrugëve tregoi se në më pak se 5 orë strukturat e dy partive funksionuan shumë mirë”, tha Kryemadhi.