Edi Rama kundërshton mes rreshtave deputetin gjerman që i dha ‘shuplakë’ qeverisë

Përmes rubrikës së tij në facebook ‘Amarcord’, Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje mes reshtave deputetit gjerman të partisë së Merkel, Gunther Krichbaum, i cili i dha shuplakë qeverisë shqiptare duke thënë se do kërkojnë që të mos hapen negociatat për Shqipërinë pasi s’ka përmbushur kushtet.

Rama është kthyer pas në kohë, duke paraqitur një foto të Kishës dhe Kuvendit françeskan në Shkodër, dhe gjen ngjashmëri edhe me sot kur thotë se “të  huajt e shihnin Shqipërinë veçse një “Turqi të vogël”. Duke u lexuar mes reshtave, Rama duket se godet edhe opozitën, kur thotë se kjo shfaqje e Shqipërisë i ofrohej skeptikëve nga jashtë, për shkak të problemeve të brendshme në atë kohë, që kryeministri i gjen aktuale edhe sot.

“Në kohën kur është shkrepur kjo foto e kishës dhe kuvendit françeskan në Shkodër, shumë skeptikë nga jashtë e kishin krejt të zorshme të shihnin te Shqipëria tjetër gjë veçse një "Turqi të vogël", shprehje gjeopolitike e kohës, por në fakt përkufizim i çdo prapambetje, prapanikllëku, dallkaukllëku, korrupsioni, vëllavrasje, zhvatje, tradhëtie dhe shitje për interesa krejt të vogla, domosdo antikombëtare. E keqja ishte atëhere, e ndoshta ende sot, se edhe pse potenciali ishte i madh që Shqipëria të bëhej me forcën e vullnetit dhe të një shumice të vendosur ndonëse të heshtur, kopshti i punuar dhe harmonik me gjeometrinë për tu pasur zili që paraqet kjo foto, xhakajdurët dhe karanxhollët e çdo sahani, rreken ta prishin si të babëzitur. Këtë "punë të madhe në interes të shqiptarëve" siç e quajnë me krekosje prej të marri, historiani romak Taciti e quante "ajo lloj paqe dhe ngazëllimi që nuk janë veç mynxyrë dhe vetmi", shkruan Rama.

Më tej, kreu i qeverisë përmend ish-Kancelarin gjerman Konrad Adenauer, i cili u citua edhe sot nga deputeti gjerman Krichbaum konferencën e tij para medias shqiptare sot në Tiranë e organizonte “Instituti Konrad Adenauer

“Me siguri me këta syresh e kish, europiani i madh dhe syçelët Konrad Adenauer tek thoshte se ishte e padrejtë që Zoti, duke kufizuar mençurinë e njerëzve, nuk kishte kufizuar në të njëjtën kohë edhe dritshkurtësinë e tyre.

E megjithatë, muret e këtij kuvendi, të rrënuara nga varrmihësit e këtij kombi e të ringritura prej shprestarëve në të ardhmen ende buçasin nga zëri i amëshuar i bujtësit të tyre të madh:

"Për inat të dreqit e (ca) shqyptarëve, Zoti ka me e mbajt Shqypnin në kambë, me nder e me lumni... Si janë pra shqyptarët e Shqypnia sot? Si janë? Si po i don anmiku...", shkruan në Facebook Kryeministri Edi Rama.