Fjala, si art mashtrimi i së keqes

“Frika nga e keqja është një motiv shumë më i fuqishëm për veprimet e njeriut nga pikëpamja e së mirës”.

Kjo duhet të jetë për shqiptarët, baza e të menduarit për atë që është në thelb e keqja. Përpjekja gjithnjë e më e shtuar për ta klasifikuarën të mirën të keqe dhe të keqen të mirë, (krejt e kundërta e shprehjes në krye të shkrimit) është më e rrezikshmja grackë për një popull.

Mesa duket një filozofi e tillë, është arti me të cilin propaganda po manipulon një shoqëri që është amnizuar nga e keqja për 45 vite diktaturë. Është një provë e qartë kjo, se e ashtuquajtura sindroma e Stokholmit është kaq shqiptare.

Për fat të keq, ne si komb ende nuk kemi arritur të tejkalojmë të keqen e ngulur thellë në shpirt dhe nuk e largojmë dot prej vetes. Është koha që shqiptarët në këtë kohë të mjerë të dallojmë të keqen nga vetja, ani pse ndoshta nuk e shohim domosdo të mirën. Unë do preferoja që sot, të keqes ti themi e keqe dhe të mirës të mirë, e pakta jo e keqe.

Por propaganda e të keqes na ka vënë në gjumë. Mjafton të shohim sesi mazhoranca politike nëpërmjet manipulimit duke nxirë të bardhën, fsheh me mjeshtëri cinike të zezën.

Një shprehje e lashtë sa njeriu thotë: E drejta është e drejtë, edhe nëse të gjithë janë kundër saj, dhe e gabuara është e gabuar, edhe nëse të gjithë janë në favor të saj.

Por për fat të keq e mira është më interesante se e keqja, dhe për rrjedhojë ajo është më e vështirë. Kjo ndodh në Shqipëri, ne përqafojmë të keqen se është më e lehta edhe pse ajo nuk është aspak interesante. E këtë e shfrytëzon mësë miri ajo pjesë që përfaqëson të keqen në këtë vend.

Mjafton të sjellim në vëmendje një histori tipike siç është ajo e drogës. Për disa vite me radhë (2013-2017) Shqipëria u kthye në një vend të mbjellë me drogë duke u bërë burimi kryesor i Europës me lëndë narkotike.

Por çfarë ndodhi? Manipulimi publik, bëri që jo pak shqiptarë të mos e shikonin hartën e gjelbëruar. Madje, në sinkron me rilindjen, disa syresh e shikonin si të mirë këtë plagë të helmatisur për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ky ishte vetëm një shembull sesi manipulohemi ne, qytetarët e këtij vendi, manipulim që do të thotë pushtet. Shqiptarët për sa kohë nuk e dallojnë dot të keqen që u ka zënë derën, nuk do arrijnë dot kurrë të zbulojnë të mirën. Aq më pak ta duan atë.  Ne jemi edukuar ta sulmojmë të mirën, ndërsa flirtojmë me te keqen. Kështu bëmë për 45 vite komunizëm dhe vazhdojmë ta bëjmë sot me komunizmin e rilindur.

Që prej vitit 2013 në këtë vend nuk është vënë asnjë tullë dhe kryeministri merr votat me batuta. Cinizmi është formësuar si një vlerë dhe për fat të keq blihet kaq shtrenjtë në tregun tonë politik e publik.

Shqiptarët duhet të heqin dorë nga varësia e fjalëve. Nuk mund të ngopen dot me fjalë, batuta të cilat shpërndahen për të hequr vëmendjen nga e keqja reale që fshihet pas tyre. Një thënie e vjetër angleze thotë se veprat flasin më shumë se fjalët. Por në rastin tonë për fat të keq, të vetmet që flasin janë fjalët, pa kurrëfarë vepre.

Sa të veshë këpucët e vërteta, gënjeshtra i ka rënë kryq botës, është një tjetër shprehje e Çurçillit, që kryeministri e përdor sa herë që i duhet për të shpëtuar nga premtimet e pambajtura. Në fakt ka të drejtë, gënjeshtrat e bukura të propagandës janë si era e hashashit që na e mori mendjen fare sa harruam të vërtetën që po vishte këpucët. 

Shqiptarët duhet të hapin sytë e të besojnë të vërtetën, ani pse nganjëherë ajo është pak më e ngathët apo më e shëmtuar se gënjeshtra bukuroshe.

“Një komb që i vë taksë vetes për prosperitetin, është si një njeri brenda në kovë, që përpiqet ta ngrejë veten nga doreza”, thotë Uinston Çurçill.