Kë të besojmë, Matteo Renzin apo Angela Merkel?

Deklaratat e sotme të kreut të grupit parlamentar të partisë Angela Merkel se “Shqipëria ka bërë hapa prapa në luftën kudër trafikut të drogës” janë pa diskutim një goditje e rëndë për atë që në fakt qeveria e ka si krenari të parë.

Qeveria, kreu i qeverisë dhe ministri i brenshëm i qeverisë kanë kohë që sulmojnë opozitën më shumë se bandat kriminale që kultivojnë dhe trafikojnë hashashin në Shqipëri, duke thënë se lufta është serioze, por se pakica politike në vend nuk i pranon arritjet. Madje muaj më parë për të konfirmuar alibinë e luftës së paepur ndaj kultivimit dhe trafikimit të hashashit në Shqipëri, u angazhua edhe Guardia di Finanza e cila tha se praktikisht 98% e drogës së kultivuar në Shqipëri ishte asgjësuar.

Përpos faktit që menjëherë pas kësaj dalje të përbashkët të Drejtorit të Policisë së Shtetit shqiptar dhe shefit të Guardia di Finanzas në Shqipëri, lumenjtë e hashashshit përmbytën rrugët detare, tokësore që lidhin vendin tonë më Italinë e Greqinë, me dhjetëra magazinat e tharjes së drogës, komunikatat e edicionet informative në vend, e për këtë ne sot jemi para dilemës. Kë të besojmë sot që një fjalë e mirë për luftën kundër drogës është thelbësore për hapjen e shumëpritur të negociatave me BE-në, Guardia di Finanzan e Matteo Renzit apo shefin politik të grupi parlamentar të partisë së Angela Merkel?!...

Kush është me faj në fund të ditës së sotme, qeveria që minimalisht bën sehir prej dy vjetës ndërsa vendi kanabizohet, apo opozita që çirret prej dy vitesh se ky fenomen do të na penalizonte në aspiratat tona europiane?

Kush është më i besueshëm në sytë e Angela Merkel, Edi Rama të cilin do ta presë pas disa ditësh në Berlin, apo Lulzim Basha që do ta shohë poshtërimin gjerman të kundërshtarit të tij politik nga Tirana?!...

Kush do të rëndohet më 29 Nëntor nga pesha e vërtetës së dhimbshme të vendit që u kthye në Kanabistan,  Edi Rama “il figliol prodigo” apo Lulzim Basha “benjamini” i paevindetuar ende nga Frau Merkel?!...

Sa për Matteo Renzin, ai mund të vijojë ta ruajë miqësinë me mikun e tij Edi Rama, mund edhe të bëjnë selfie me njëri-tjetrin sa herë të takohen.

Por tashmë që hashashi që i vjen nga Shqipëria me tonelata i është kthyer në një problem kombëtar akoma më i madh se gomonet me emigrantë dikur, të paktën për një herë të vetme Renzi le të mos i fajësojë shqiptarët dhe opozitën për këtë!...