A do të flasë? 20 pyetje për Mogerinin

Është ‘fat i madh’ që Shqipëria ka një ‘mike’ si Mogherini që mendon dhe ja do të mirën Shqipërisë. Qoftë e bardhë vizita e saj! Le të shpresojmë që fjala e saj të bjerë në vesh të Zonjës Merkel! Shqiptarët mezi po presin fjalët e saj “të ëmbla” që ngjallin shpresë e optimizëm, se përndryshe mendjen për në Gjermani e kanë.

Por qytetarët, të cilët me mijëra presin të emigrojnë drejt BE pa pritur që Shqipëria të bëhet anëtare e BE, dëshirojnë të dëgjojnë nga goja e Mogherinit të vërtetat që ata përjetojnë çdo ditë. Konkretisht:

A do të flasë Mogherini për çështjen Tahiri, dosja e të cilit është edhe në tavolinën e Merkel?

A do të thotë ndonjë llaf Mogherini për presionin që Rama i bën drejtësisë që të mos ndëshkojë Tahirin?

A ka ndonjë fjalë për të thënë Mogherini për lidhjet e Tahirit me klanet mafioze, siç rezulton nga autoritet e ligjit të vendit nga vjen ajo?

A di gjë Mogherini që vëllai i Ministri të Brendshëm ka qenë i dënuar në Itali për trafik të drogave të forta?

Po për implikimin e policisë, masivisht në kultivimin e marijuanës, a di gjë Mogherini?

A e ka të qartë Mogherini se kultivimi masiv i kanabisit me pjesëmarrjen e rrjetit të policisë dhe nën drejtimin e Tahirit, ishte pjesë e  një strategjie të Ramës për të pasuruar kupolën qeverisëse dhe blerë zgjedhjet?

A do të flasë Mogherini për pasurinë 200 milion euro të Ramës të fshehur në llogari off shore, informacion që fle në zyrën e OSBE në Tiranë?

A do të shprehet Mogherini për emërimin antikushtetues të Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme?

A ka ndonjë fjalë për të thënë Mogehrini për korrupsionin e Vllahutin me vilën e blerë me çmim tre herë më të lartë dhe që thuhet se kjo çështje është mbyllur në Bruksel edhe me ndërhyrjen e saj?

A ka diçka për të thënë Mogherini përse rreth dy të tretat e shqiptarëve duan të emigrojnë?

A e ka të qartë që Rama e ka edhe timonin edhe tepsinë e pushtetit ndërkohë që në Raportin e OSBE/ODHIR thuhet se “votat janë blerë dhe votuesit janë kërcënuar”?

 A e di Mogherini se cilët janë 10 biznesmenët që kanë marrë të gjithë koncensionet që po fundosin ekonominë e Shqipërisë dhe cfarë lidhjesh kanë me Ramën?

A e di Mogherini se si janë arrestuar në mes të natës, në dhunim te Kushtetutës e të ligjit ata kuksianë që protestuan para disa ditësh?

A mund të thotë Mogherini dicka sesa e lirë është media në Shqipëri dhe si Rama kontrollon mediat kryesore?

Çfarë mendon Mogherini për rolin e faktorit të tretë që ka përkeqësuar dhe vazhdon të pengojë përmirësimin e marrëdhënieve Greqi-Shqipëri?

A i ka të qarta Mogherini lidhjet e Ramës me individët me rekorde kriminale që ende kontrollojnë një pjesë të rëndësishme të pushtetit?

A e ka të qartë Mogherini se në çfarë nivelesh ka arritur papunësia e të rinjve në Shqipëri dhe a mund të thotë se cila është përgjegjësia e qeverisë Rama?

A i ka lexuar Mogherini raportet e KLSH që flasin për korrupsionin e Ministrave dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë Rama dhe a diçka për të thënë?

A e ka të qartë Mogherini se shoqëria civile në Shqipëri ka vdekur ose ajo është tërësisht nën kontrollin e Ramës?

Dhe së fundmi, a i duket Mogherinit normal që Rama e quan popullin  e tij “një organ seksual që nuk ngrihet”? Dhe çfarë i duhet bërë popullit që të ngrihet, nëse ka ndonjë ide?

Kaq për këtë radhë. Të gjithë e dinë sa djalë i mirë është Rama. Se çfarë mendon Mogherini për Ramën. Të gjithë presin ndonjë fjalë për të mirën e shqiptarëve. Se nëse do të vazhdohet me stilin e zakonshëm, të gjithë të rinjtë i kanë gati trastat për të emigruar.

Ishallah Mogherini na thotë ndonjë fjalë të mirë për LGBTQ… apo na bën me dije për ndonjë projekt për mbrojtjen e tyre!