REL zbardh raportin e KE-së për Shqipërinë, kërkohen sërish kushtet e 1 viti më parë

Komisioni Europian do të rekomandojë çeljen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian të Shqipërisë, raporton Radio Europa e Lirë, duke iu referuar dokumentit të progres-raportit të KE-së për Shqipërinë.

“Dokumenti konfirmon se komisioni, për herë të parë, rekomandon hapjen e negociatave të pranimit në BE me Shqipërinë, e cila u bë një vend kandidat zyrtar i BE në 2014.

Dokumenti thekson se ‘reforma e administratës publike [ka qenë] e konsoliduar, me qëllim rritjen së profesionalizmit dhe depolitizimit të saj’.

Në dokument gjithashtu thuhet se ‘janë ndërmarrë veprime të mëtejshme për të përforcuar pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e institucioneve gjyqësore, veçanërisht nëpërmjet avancimit në zbatimin e një reforme gjithëpërfshirëse të drejtësisë’.

Komisioni Evropian, megjithatë, paralajmëron se ‘rezultatet e vazhdueshme, konkrete dhe të prekshme në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të jenë vendimtare për përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë’”, raporton REL, duke cituar raportin.

Edhe një vit më parë u rekomandua hapja e negociatave, por Këshilli i Europës vendosi të mos japë miratimin, duke vendosur edhe të tjera kushte. Tani pritet një vendim tjetër pas 1 muaji në Samitin e Sofjes. Disa prej vendeve si Gjermani, Holanda janë skeptike për përparimin e Shqipërisë.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zv.Presidente e Komisionit Europian, Federica Mogherini dhe Komisioneri Europian për Zgjerim, Johanes Hahn pritet të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Tiranë pas dy ditësh. Mësohet se shefja për politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe eurokomisioneri Johannes Hahn do t’i dorëzojnë qeverisë shqiptare progres-raportin e KE-së më 17 prill.