Erdogan kërcënon Gylenin: Do të sjellim dhe ty në Turqi!

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan bëri me dije se 80 pjesëtarë të organizatës FETO u sollën në Turqi.

Në një fjalim në mbledhjen e zakonshme të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Stamboll, Erdogan tha se deri më sot, në Turqi janë sjellë “80 terroristë të FETO-s”.

“Do t'i ndjekim edhe tjerët”, tha Erdogan, duke shprehur bindjen për sjelljen në Turqi edhe të liderit të FETO-s, Fetullah Gylen, raporton media shtetërore turke Anadolu Agency. “Ti, që aktualisht ndodhesh në Pennsylvania, do të vish gjithashtu”, shtoi më tej presidenti turk.

“Javën e kaluar, zyrtarët e inteligjencës turke, sollën në Turqi tre pjesëtarë të lartë të FETO-s, të cilët ishin kapur gjatë një operacioni anti-terrorist në Gabon të Afrikës, ndërsa gjatë muajit mars, nga Kosova në Turqi u dërguan edhe gjashtë pjesëtarë të lartë të FETO-s, të cilat u kapën pas një operacioni të Agjencisë Kombëtare Turke të Inteligjencës (MIT) në bashkëpunim me inteligjencën kosovare.

Ata ishin përgjegjës për nxjerrjen nga Turqia të pjesëtarëve të mbetur të FETO-s, për t'i dërguar në Evropë dhe SHBA”, raporton më tej AA.

Autoritet turke akuzojnë FETO-n dhe Fehtullah Gylenin se fshihen pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016.