Arsimtarët, për një javë provimi që u sjell shtesën mbi pagë

Vetëm një javë i ndan mësuesit nga provimi, nga i cili përftojnë jo vetëm rritje profesionale, por edhe financiare. Drejtori i Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Gert Janaqi, në një intervistë jep disa detaje të provimit dhe përfitimet që do të kenë arsimtarët, që rezultojnë kalues. Këta të fundit do të përfitojnë nga 700 deri në 2800 lekë më tepër mbi pagën bazë.

Rritja, sipas Janaqit, do të reflektohet nga muaji korrik, pas përfundimit të vlerësimit dhe ankimimit të tezave. Ndërsa ata që nuk marrin pragun minimal të pikëve, e vetmja gjë që humbasin është shtesa mbi pagë, pasi testimin për kualifikim kanë të drejtë ta përsërisin deri në tri herë.

Lidhur me zhvillimin profesional të më suesve, drejtori i IZHA-s mohon të ketë ende mësues me vjetërsi të madhe në punë, e cila nuk përputhet me shkallën e kualifikimit që ata gëzojnë aktualisht. Qëllimi primar i këtij procesi kualifikimi, sipas tij është zhvillimi profesional.

Kualifikimi, shkruan panorama, është proces që organizohet çdo vit dhe lidhet me rritjen në kategori të mësuesve. Edhe këtë vit, testimi do të bazohet në po të njëjtat udhëzime si edhe vitet e kaluara.

Rritja e pritshme e pagës është 5% për kategorinë e tretë “Mësues i kualifikuar”, 10% për të dytën, “Mësues specialist” dhe 20% për kategorinë e parë “Më sues mjeshtër”, e pagës së grupit që i përkasin. Rritja e pagës do të hyjë në fuqi në muajin korrik.