Barcelona pranë titullit, thyen rekordin historik

Barcelona e ka mposhtur 2-1 Valencian duke iu afruar edhe më shumë titullit kampion në La Liga.

Skuadra e Valverdes ka vendosur një rekord historik në Spanjë pasi ka ruajtur epitetin e skuadrës së pamposhtur në ligë në 39 ndeshjet e fundit.

Barcelona ka thyer sot rekordin e Real Sociedadit për ecurinë më të gjatë si skuadër e pamposhtur në 38 ndeshje në ligë nga viti 1980.

Skuadra katalane tani është skuadër e pamposhtur në 39 ndeshje në La Liga. 

Fillimisht ishte Suarez i cili shënoi pas një super asisti nga Coutinho në minutën e 15-të.

Valencia vazhdoi të krijoi më shumë raste por pa arritur të shënojë, krejt kjo si pasojë e pritjeve të jashtëzakonshme të Marc-Andre ter Stegen.

Barcelona u fut më vrullshëm në pjesën e dytë dhe pas vetëm gjashtë minutave gjeti golin e dytë, kur Samuel Umtiti shënoi me kokë.

Edhe në vazhdim ndeshja ishte mjaft e hapur dhe me raste nga të dy skuadrat. Valencia arriti ta ngushtojë rezultatin në 2-1 me anë të Dani Parejos i cili nuk gaboi nga penalltia.

Tani që kanë mbetur vetëm edhe gjashtë javë deri në përfundim të kampionatit, Barcelona është liderë me 82 pikë, 14 më shumë se Atletico Madridi në vendin e dytë.