Arrestohet Stresi, ja akuza që rëndon ndaj reperit

Policia e Tiranës ka zyrtarizuar ndalimin e reperit të njohur Arkimend Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi. Këngëtari bashkë me disa persona të tjerë, gjatë orëve të para të mëngjesit u kapën në një lokal bastesh sportive në Tiranë duke konsumuar drogë, bënë me dije burime policore. Në pranga është vënë edhe Kujtim Pershpalaj, 34 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa tre persona u proceduan penalisht.

Gjatë orëve të para të mëngjesit, efektivë të Seksionit për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja” mësynë në lokal.

Zyrtarisht Policia njoftoi se: Procedimi ndaj shtetasve të lartpërmendur është kryer pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e shërbimeve të forcës së posaçme “Shqiponja”, në një lokal bastesh sportive në rrugën “Ali Pashë Gucia”, janë kapur në kushtet e flagrancës shtetasit e mësipërm duke konsumuar lëndë narkotike brenda në lokal.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një qese ambalazhi brenda të cilës kishte një sasi pluhuri me ngjyrë të bardhë e dyshuar e llojit kokainë, një pjatë porcelain ku sipër saj kishte një sasi pluhuri me ngjyrë bardhë dhe dy karta karburanti.

Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale të ‘Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike në formën e mbajtjes” “Përshtatja e lokalit për përdorim droge’ dhe ‘Moskallzim krimi’, te parashikuara nga nenet 283/1, 285/a dhe 300 te Kodit Penal për shtetasit e mësipërm.