A po bën Rama puç institucional?! Akuza e fortë e KJ: FBI po merr në pyetje ‘Kullat’, ‘mediat’ dhe ‘drogën’...

Ditën e djeshme gazeta “Koha Jonë” e Nikoll Lesit, u hap me një kryeartikulli të fortë në të cilin analizonte raportin e fundit të organizatës “Freedom House” për Shqipërinë, duke u përpjekur që të gjejë ndërhyrje të paguara nga biznesmenë afër qeverisë Rama, me synim largimin e vëmendjes nga implikimi i tyre në trafik droge.

Në  shkrimin e djeshëm me titull, “Raport nga `Freedom House` apo nga Kolumbia?”, zbulohen disa fakte tronditëse. Sipas kësaj gazete një biznesmen shumë i njohur shqiptar i cili ka lidhje të forta me qeverinë udhëton shpesh drejt zonës famëkeqe të Kolumbisë, Medelin, dikur “kryeqytet” i trafikantit Pablo Eskobar.

Gjithashtu shkruhej se biznesmeni afër Ramës, aktualisht është edhe nën hetim për trafik kokaine nga vendi i Amerikës Latine drejt Shqipërisë. Sipas artikullit, pikërisht kjo është arsyeja e aplikimit të një skemë, ku financimi i një “raporti” të dyshimtë përfshinë segmente mes krimit dhe politikës.

Por ditën e sotme po kjo media e ka vazhduar këtë temë, duke e rritur edhe më shumë “stekën” me alarme e akuza teje të rënda, për atë çfarë po ndodh në Shqipërinë e Edi Ramës. Këtë herë shkrimi është firmosur nga S.P (Spiten Prulli) që është pseudonimi i preferuar gazetaresk, i vetë Nikoll Lesit.

Në artikullin me titull, “Lojë e paguar për të goditur Presidentin”,  të botuar sot në variantin online të “Koha Jonë”, përshkruhet një skenar që nënkuptohet se është përpiluar në zyrën, apo në qoshen e errët të kryeministrit Rama, për të goditur këtë herë presidentin Meta, me synim krijimin e një tollovie; krijimin e një kurthi për në publikun dhe heqjen e vëmendjes nga  skandalet me trafikun e drogës; pastrimin e parave me kulla gjigante; koncesione e grabitje masive të pronës publike.

E gjithë kjo skemë sipas “Koha Jonë”, po sponsorizohet dhe po vihet në funksionim nga një  “grupim mediatiko-biznes-mafie”.

“Kishin disa muaj pa u bërë të gjallë hienat dhe çakenjtë e oligarkisë, të cilët për të shtuar milionat e tyre me koncensione, leje ndërtimi, privatizime, vjedhje, etj turren te kryeministri, duke bërtitur: “Kë të godasim këtë radhë?!”. Dhe në këmbim, sipas oreksit të kryeministrit, sajojnë historira, paguajnë sondazhe, fusin rrjeshta me dollarë nëpër “Freedom House”, nxjerrin nga arshivat shkresa të mykura nga koha, por iu hedhin parfum nga marketet e tyre të pisllëkut, duke ia shitur publikut si lajm i ri, si skup i madh, ndërkohë që këto janë kurthe e sajesa të vjetra, por që paguhen sa herë ia do interesi kryeministrit”, e nis shkrimin plot nerv, Spiten Prulli.

Por më poshtë autori kalon në akuza edhe më tronditëse, të cilat të krijojnë përshtypjen se jemi përballë një puçi institucional, që po bën kryeministri i vendit kundër Presidentit të Republikës. Interesant është fakti, se autorët e këtij “puçi” janë duke u investiguar dhe pyetur nga FBI e cila gjendet në Tiranë për të hetuar “Kullat”, Drogën” dhe pastrimin e parave nga zyrtarë të lartë të shtetit në bashkëpunim me biznesmenë të njohur.

“Edhe në sulmin e fundit ndaj Presidentit Meta u turrën dallkautxhinjë, interesaxhinjë lejesh të tjera ndërtimi, duke filluar nga kullat e deri të toka në bregdet; mediatikxhinjë të kthyer në biznesmenë ndërtimi dhe pastrues parash nëpër ishujt offshore, po që po hetohen nga FBI.

Njërin e kanë thirrur hetuesit e FBI-së që ndodhen në Tiranë për pak sqarime! Bile ky është më “punëtori” që po punon për llogari të kryeministrit që të mundet të shpëtojë ndonjë gjë nga sekuestrimet e mundshme në ishujt offshore. U turrën e gjithë kjo urdi uzurpatore e pasurisë shtetrore, e cila në të vertëtë është për në burg për vjedhje e korrupsion shtetror; sajuan, intriguan bashkërisht, edhe me ndonjë ndërkombëtar që merr tenderime nga BE për ca fonde që vijnë nga Brukseli për Shqipërinë dhe në fund dolën zbuluar, ndonëse bënë dy ditë zhurmë e turbullira…

Ky grupim mediatiko-biznes-mafie e morën shpërblimin e sulmit të radhës. Publiku humbi edhe disa milionë dollarë nga buxheti i shtetit si dhe kryeqytetasit morën si kusur humbjen e disa metrave katrorë lulishte nga fitimi i dy lejeve të reja ndërtimit me urdhër të kryeministrit. Kur të duan prapë para dhe prona do të sulmojnë edhe njëherë. Dhe kështu sa herë iu hapet oreksi”, zbulohen të dhëna tronditëse në këtë artikull.