Po hetohet nga Prokuroria, ja reagimi i ministrit Pal Lekaj

 

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj. Lidhur me këtë, ka reaguar ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj. Përmes një shkrimi dërguar medieve, Lekaj ka thënë se ka vepruar drejt se në asnjë rast e rrethanë nuk ka vepruar ndryshe përveçse në harmoni me ligjin.

“Po lexoj në media që organet e drejtësisë paskan ngritur një aktakuzë për një çështje të para 10 viteve. Krejt çka mund të them tani për tani është se në asnjë rast e rrethanë nuk kam vepruar ndryshe përveçse në harmoni me ligjin dhe në ndihmë për qytetarët e shumtë që kanë përfituar nga subvencionet, të cilat i ka shpërndarë Komuna e Gjakovës”, është shprehur Lekaj.

Më tej ka theksuar se do të qëndrojë në detyrën si ministër i Infrastrukturës, ndërkaq ka thënë se është i gatshëm të respektojë çdo vendim të organeve të drejtësisë.

Ashtu siç kam qenë, do të vazhdoj të jem në krye të detyrës, për të përmbushur obligimet tona ndaj qytetarëve dhe vendit tonë. Cilido që do të jetë epilogu i organeve të drejtësisë, jam i gatshëm ta respektoj. Por nuk do të ndalemi në punën tonë, pa marrë parasysh tendencën dhe presionin”, tha Lekaj.

Pal Lekaj, pas zgjedhjeve të fundit, eshte emëruar ministër i Infrastrukturës, në ekzekutivin kosovar, të cilin e udhëheq shefi i tij i partisë, Ramush Haradinaj.