Çfarë kërkon opozita? Ja përgjigjia e ish-Kryeministrit Sali Berisha

Ish-Kryeministri Sali Berisha theksoi se ata që s’duan të protestojnë jetojnë nën sqetullat e qeverisë.

Berisha tha se opozita ka një platformë dhe po operon me atë, sikundër ka një zgjidhje për të gjitha problemet që ka krijuar Edi Rama.

Në studion e Abcnews, Berisha akuzoi Kryeministrin Edi rama se ka një listë mashtrimesh dhe asgjë tjetër.

“Kush e krijoi problemin me rrugën e Kombit? Edi Rama vendosi ndër taksat më të larta që ekziston në Botë dhe Europë. Thotë e ka vendosur Berisha, por mashtron, sepse Berisha po të donte t’a vendoste e kishte vendosur.

Marrin copa letrash dhe thonë ja ku është drafti, pra paraqiten thjesht si fallsifikatorë dhe nuk japin zgjidhje. Opozita ka zgjidhjen, do të japë 1/10 e taksës së qarkullimit për të mirëmbajtur rrugën e Kombit”, tha Berisha.

I pyetur se çfarë kërkon opozita, Berisha tha se kjo mazhorancë është një narko-mazhorancë që nuk ekziston kurrë në planet sot.

“Po të jap një shembull, Vladimir Balla është vëllai i Taulant Balla, i cili emërohet drejtor i Task Force për Ujin. Ose po ju them që 4 drejtori janë shkrirë në 1, janë drejtori që kontrollojnë pronën shtetërore dhe ato janë në dorën e kunatit të Erjon Braçes.

Arben Ahmetaj vjedh më shumë euro sesa qime në kokë ka. Merrni inceneratorët, ai në Elbasan u fitua tenderi me 22 milionë dhe u shit pas 3 ditësh me 13 milionë, pra u futën 9 milionë në xhep. Kaloni në Fier, thanë do e shesim 28 milionë dhe pastaj u gjet Arben Ahmetaj me çelësa në dorë dhe tha se do e ndërtojmë me 13 milionë. E dini sa është inceneratori i Tiranës? Mbi 100 milionë”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri tha se opozita ka mbështetur fuqishëm hapjen e negociatave. “Kemi deklaruar se mbështesim plotësisht hapjen e negociatave dhe miku i socialistëve Knut Fleckenstein iu tha shqiptarëve ndershmërisht se protestat nuk pengojnë hapjen e negociatave”, tha Berisha.  Ai tha se raporti i datës 17 prill do të jetë pozitiv.

“Në muajt që vijnë nuk do të ketë pengesa”, tha Berisha.