A do e udhëheqë Franca sulmin ajror mbi Siri?

Presidenti amerikan Donald Trump postoi të enjten në Tëetter një mesazh ku thotë se sulmi ndaj Sirisë mund të ndodhë “shumë shpejt” ose “nuk mund të ndodhë aq shpejt”, duke argumentuar se kurrë nuk ka dhënë ndonjë shenjë mbi kohën e hakmarrjes për sulmin e dyshuar me armë kimike, pavarësisht se një ditë më parë e bëri thuajse të pashmangshme një ndërhyrje ushtarake.

Të mërkurën, Trump paralajmëroi Rusinë “të bëhej gati” për një sulm me raketa mbi aleatin e saj, Sirinë.

“Kurrë nuk kam thënë se kur do të ndërmerret sulmi ndaj Sirisë!”, ka shkruar Presidenti Trump në Twetter.

Në “lojën” siriane është rreziku i një konfrontimi potencial, e jo një konflikt i hapur e i plotë, mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, dikur armiq gjatë “Luftës së Ftohtë”, marrëdhëniet mes të cilëve janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, që pas ndërhyrjes së Moskës në Ukrainë, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, e së fundi edhe pas mbështetjes së presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Ligjvënësit rusë kanë paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se Moska do ta konsideronte një sulm ajror mbi Sirinë si një krim lufte, e kjo mund të shkaktonte edhe një përplasje të drejtpërdrejtë mes ushtrive amerikane e ruse.

Ambasadori i Rusisë në Liban tha se, çdo raketë e lëshuar mbi Siri do të rrëzohej poshtë, ndërsa vendlëshimet e tyre do të shënjestroheshin, një paralajmërim i hapur për një konfrontim madhor mes dy superfuqive.

Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, ndërkohë ka theksuar se provat e asaj se çfarë ndodhi janë duke u vlerësuar. Gjatë një sesioni fotografik në një takim të Pentagonit, së bashku me homologun e tij holandez, Mattis u pyet nga një reporter nëse kishte parë prova të mjaftueshme për të fajësuar qeverinë siriane.

“Jemi ende duke vlerësuar informacionet e shërbimeve sekrete, tonat dhe të aleatëve tanë, – tha Mattis. – Nuk mund të them gjë tjetër, veçse jemi ende duke punuar mbi këtë çështje”.

SHBA, Franca dhe Britania kanë zhvilluar konsulta të gjera mbi një sulm të mundshëm ushtarak jo më vonë sesa fundi i kësaj jave. Një operacion i përbashkët, ndoshta me Francën kryesuese e jo Shtetet e Bashkuara, mund të dërgojë një mesazh uniteti ndërkombëtar mbi zbatimin e ligjeve parandaluese të armëve kimike dhe për të kundërshtuar mbështetjen ushtarake e politike të Rusisë e Iranit ndaj Sirisë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron tha të enjten se Franca ka prova të pakundërshtueshme se qeveria siriane ka sulmuar me gaz klorin, e për këtë arsye, Franca “nuk mund të tolerojë regjimet që mendojnë se gjithçka është e lejuar”. Presidenti francez nuk ka nevojë për leje nga Parlamenti për një nisur një ndërhyrje ushtarake.

Ndërkohë Kryeministrja britanike, Theresa May, ka thirrur një mbledhje urgjente të kabinetit, ku pritet të merret një vendim, ndërsa është paralajmëruar se mund të mos merret leje nga Parlamenti, në rast të një ndërhyrjeje ushtarake.