Ish-portieri i Juventusit: Do ta kisha goditur arbitrin nëse do të isha në vend të Buffonit

Ish-portieri i Juventusit, Stefano Tacconi, ka sulmuar gjyqtarin Michael Oliver, për penalltinë e dhënë në fund në favor të Real Madridit.

“Zonja e Vjetër” përmbysi rezultatin nga ndeshja e parë dhe po fitonte 0-3 deri në minutën e 92-të në “Santiago Bernabeu”, kur Benatia ndërhyri në Lucas Vazquez dhe gjyqtari Michael Oliver pa u menduar dy herë akordoi penallti në favor të Real Madridit.

Gianluigi Buffon u nxorr me të kuq jashtë për shkak të protestave, kurse Cristiano Ronaldo nuk gaboi nga pika e bardhë për ta dërguar Real Madridin në gjysmëfinale.

“Duke e ditur se nuk do të luaj më, do ta kisha goditur në fytyrë”, tha Tacconi për RMC Sport, që ka luajtur më shumë se 20 ndeshje për “Zonjën e Vjetër”.

“Do të ishte bukur dhe e mrekullueshme për fundin e karrierës. Nuk mund të japësh një penallti si ajo në minutën e 95-të. Psikologjikisht të gjithë janë të tensionuar dhe nuk mund të japësh një penallti si ajo”, tha ish-portieri i bardhezinjve.