I akuzuar për fallsifikim, ja kur nis gjyqi për Elvis Roshin

 
Procesi ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi do të nisë në Gjykatën e Tiranës më 16 prill.

Pas dorëzimit të dosjes nga prokuroria, shorti ka përcaktuar si gjyqtare të çështjes Adriana Berën.

Roshi gjendet nën akuzë “Falsifikimi i vulave, stampave apo formularëve”  në formularin e dekriminalizimit, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.

Sipas akuzës, Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Kampobaso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit.

Gjithashtu  Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit”. 

Është zbuluar gjithashtu se Roshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Evropës.