Përplasja Erdogan-Gulenist/ Ja ç’po ndodh me myslimanët në Shqipëri, sipas ish-Kreut të SHIU

Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Ylli Zyla, në Ora News, thotë se Shqipëria duhet të jetë e balancuar për sa i përket konfliktit në Turqi midis Erdoganit dhe lëvizjes "Gylen".

“Shteti shqiptar duhet të jetë i kujdesshëm dhe i balancuar. Nuk duhet të bëhet palë as me njërën dhe as me tjetrën. Duhet të zbatojë Konventat Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Rasti i Kosovës është i papranueshëm.

Në kohën kur unë kam qenë drejtues shërbimi (SHIU) në një far mënyre ishte larguar pjesa vehabiste dhe kishte marrë fuqi pjesa e moderuar e islamit turk. Nga përplasjet e rrymës gyleniste dhe shtetit turk, vetë besimtarët mysliman në Shqipëri janë në një lloj përplasje”, tha Zyla.

Zyla gjithashtu ka ngritur dyshime se grushti i shtetit në Turqi të jetë bërë nga ushtria sepse sipas tij, ai do të ishte i suksesshëm.

“Në rastin e grushtit të shtetit, unë nuk mendoj se ishte një grusht shteti i stisur. Kur flasim për shtetin turk, flasim për një vend perandorak. Në rast se do të organizohej një grusht shteti nga ushtria, do të ishte i suksesshëm. Kontrollin civil mbi ushtrinë, Erdogan e ka bërë në mënyrë tinëzare.

Evropa ishte e ndjeshme ndaj kontrollit civil të ushtrisë. Unë aludoj se presidenti Erdogan mund ta ketë sajuar këtë grusht shteti. Në rast se ata e kishin ndarë mendjen për grusht shtetit, viktimat do të ishin shumë të mëdha. Do të thotë se nuk ishte organizim”, tha ai.