Zgjedhjet në Malin e Zi/ Basha mbështet Gjukanoviç: Orientim perëndimor, kontribut thelbësor...

Kreu demokrat Lulzim Basha ka shprehur mbështetjen për kandidaturën e Milo Gjukanoviç për zgjedhjet e së dielës që do të zhvillohen në Malin e Zi.

I pyetur nga disa media, Basha, deklaroi mbështetjen për presidentin Gjukanovic dhe perspektiven euroatlantike të Malit të Zi.

“Zgjedhjet e së dielës në Malin e Zi janë një ngjarje e rëndësishme për zhvillimet politike në fqinjin tonë verior, por dhe me ndikim në zhvillimet e rajonit drejt perspektives euroatlantike të tij.

Dy alternativat janë të qarta, njëra në fuqizimin e rrugës euroatlantike të Malit të Zi dhe tjetra që thërret për të kundërtën.

Vlerësoj kandidaturën dhe personalitetin e Milo Gjukanovic si alternativa e provuar dhe në mbështetje të orientimit perëndimor të Malit të Zi.

Gjithashtu z. Gjukanovic ka një rekord të mirë bashkëpunimi me faktorin shqiptar në Mal të Zi.

Shqiptaret i janë mirënjohës për mbështetjen që i ka dhënë popullsisë kosovare gjatë luftës në Kosovës.

Milo Gjukanovic ka një kontribut thelbësor në fuqizimin e zhvillimin e linjës proeuropiane dhe, gjithashtu, në realizimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Kjo bën padyshim Malin e Zi dhe Milo Gjukanovic një partner të afërt me të gjithë faktorët ballkanikë, që projektojnë dhe punojnë për Ballkanin e vlerave Euroatlantike.

Për këto arsye PD dhe unë mbështesim plotësisht  kandidaturën e tij dhe shprehim gjithashtu besimin se, si president, Gjukanovic do të jete një shtysë pozitive që faktori shqiptar në Mal të Zi të jetë pjesë e qenësishme e respektuar dhe funksionale në zhvillimet politke dhe shtetërore, si një hap i sigurtë për të realizuar aspiratat e tyre për integrim dhe prosperitet demokratik të popullësisë shqiptare në Mal të Zi”, tha Basha.