FH organizata e financuar nga Departamenti i Shtetit nxjerr blof ambasadorin Donald Lu

Për herë të parë në një raport të një organizate prestigjoze siç është Freddom House thuhet troç, për kapjen e institucioneve nga ana e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe rrugën që po ndjek ai, për instalimin e autokracie.

Pavarësisht se  Freedom House është një organizatë joqeveritare amerikane, ajo financohet drejtpërdrejtë nga qeveria amerikane dhe qëndrimet e saj janë gjithmonë në rezonancë, me ato të Departamentit Shtetit.

Një nga konstatimet më interesante të këtij raporti që u zbardh me shpejtësi për opinionin shqiptarë nga Zëri i Amerikës ishte edhe ai, për mënyrën se si shumica socialiste zgjodhi Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.

“Në fakt, vendimi i Ramës për të zgjedhur në mënyrë të njëanshme Prokuroren e re të Përgjithshme të Përkohshme me një shumicë të thjeshtë në parlamentin shqiptar në dhjetor, duke shpërfillur kundërshtimet e ashpra të dy partive kryesore opozitare, shfaqi një hap të parë shqetësues në këtë trajektore”, thuhet tekstualisht në  raportin në fjalë.

Por nëse kthehemi prapa në kohë, që në fillesat e operacionit të mazhorancës për zëvendësimin e kryeprokurorit Adriatik Llalla,  ambasadori i SHBA në Tiranë e ka e mbështetur hapur, jo vetëm zgjedhjen e Arta Markut si individ në krye të organit të akuzës, por edhe mënyrën proceduriale që u ndoq.

Fillimisht ambasadori Lu doli në mbrojtje të opinionit të OPDAT& Euralius për Komisionin e Ligjeve, i cili e quante kushtetuese mënyrën se si po zgjidhej PPP Marku, pa vetting dhe me shumicë të thjeshtë, ndryshe nga si pretendonte opozita.

 Edhe pak kohë më parë kur Partia Demokratike bërë një propozim për ndryshimin e Kushtetutës, në mënyrën se si mund të zgjidhet Prokurori i Përkohshëm, duke përcaktuar edhe shkarkimin e Arta Markut,  ambasada Amerikane ka ndërhyrë sërish publikisht, për të bllokuar këtë proces të iniciuar nga opozita, me qëllim futjen në binarë kushtetutshmërie, zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm.

 “Kushtetuta dhe ligji janë për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e SHBA mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit”, thuhej prerë në mesazhin e ambasadës amerikane për këtë çështje.

Por duket se  Freedom House, nuk mendon si ambasadori Donald Lu. Madje organizata e financuar nga qeveria të cilës i shërben Lu në Tiranë shkon edhe më tej, duke e quajtur “trajektore shqetësuese” zgjedhjen me shumicë të thjeshtë socialiste të prokurores së Përkohshme të Përgjithshme.

Pas kësaj, kemi të drejtë të ngremë disa pyetje për ambasadorin Lu.

A kanë qenë të konsultuara dhe në linjën e Departamentit të Shtetit qëndrimet e tij të hapura pro Ramës, në çështjen e zgjedhjes së PPP, Arta Marku?

A e ka ndihmuar ai me qëndrimet e tija kapjen e institucioneve nevralgjike të shtetit dhe veçanërisht atyre të Drejtësisë, nga kryeministri Rama?

Në gjithë këtë panoramë që shfaqet pas raportit të F.H duhet të kujtojmë, se ambasadori Donald Lu së fundmi po akuzohet në SHBA nga organizata, “Judicial Watch”, se ka përdorur fondet e takspaguesve amerikane, për të vënë drejtësinë nën kontrollin e qeverisjes socialiste.