Guvernatori Sejko: Ja pse u forcua leku në raport me euron dhe pasojat...

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, prezantoi sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017.  

Sejko ka deklaruar se viti 2017 ka qenë pozitiv, pasi u krijuan 79 mijë vende të reja pune, ndërsa ekonomia shqiptare u rrit me 3.8%.

Sejko komentoi forcimin e lekut, arsyet dhe pasojat. Sejko u shpreh se zhvlerësimi i euros ndaj lekut është i padëmshëm për ekonominë shqiptare.

“Forcimi i lekut gjatë dy viteve të fundit ka qenë në vëmendjen e Bankës së Shqipërisë, si pasojë e ndikimit të gjithanshëm që ka ky faktor mbi treguesit e përgjithshëm ekonomikë e financiarë, përfshi dhe inflacionin.

Analizat tona tregojnë se tendenca mbiçmuese e kursit të këmbimit pasqyron përmirësimin e faktorëve fondamentalë, të tillë si ngushtimi i deficitit tregtar dhe i atij të llogarisë korrente, nivelet e larta të prurjeve valutore në formën e investimeve të huaja direkte, si dhe rritja e besimit ndaj monedhës kombëtare në tregun e brendshëm financiar.

Për sa kohë ky mbiçmim përfaqëson efektin e faktorëve të qëndrueshëm ekonomikë e financiarë, ai nuk sjell pasoja të dëmshme për ekonominë shqiptare. Megjithatë, efektet e tij shfaqen në formën e presioneve të reduktuara inflacioniste në tregun e brendshëm shqiptar”, tha ai.

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT-it, Sejko tha se ekonomia shqiptare u rrit me 3.8% në terma vjetorë dhe krijoi rreth 79 mijë vende të reja pune në sektorin privat jobujqësor; norma e papunësisë dhe deficiti i llogarisë korrente u reduktuan; ndërsa, inflacioni erdhi në rritje.

Paralelisht me zhvillimet në sektorin real, normat e interesit në tregjet financiare mbetën të ulëta dhe treguesit e shëndetit të sistemit bankar erdhën në përmirësim.

Në veçanti, raporti i kredive me probleme zbriti në 13.2% në fund të vitit, një reduktim ky prej rreth 5 pikësh përqindjeje krahasuar me një vit më parë.

Të gjithë këta indikatorë tregojnë një përmirësim të pozicionit ciklik të vendit dhe ofrojnë sinjale inkurajuese për perspektivën e rritjes ekonomike në të ardhmen.