Drejtoresha e Tatimeve: Skema e TVSH nuk rëndon biznesin e vogël, ja kush nuk përfshihen...

Skema e TVSH as nuk do të rëndojë barrën e të vegjëlve dhe as nuk do të ndikojë mbi çmimet. Kështu deklaroi Vasilika Vjero në ERTV, vetëm pak orë kur bizneset e vogla ulën qepenat për 60 minuta në shenjë proteste ndaj përfshirjes së tyre në skemën e TVSH.

“Falë kësaj reforme, do të marrë fund cirku i shumë të mëdhenjve që janë shfaqur si të vegjël, duke gënjyer njëkohësisht konsumatorin dhe shtetin, si edhe loja e shumë të mëdhenjve që kanë përdorur të vegjlit për të shmangur detyrimet tatimore, duke dëmtuar konkurrencën në treg”, tha Vjero.

Vjero tha se nuk ka asnjë taksë të re ndaj bizneseve të vogla, asnjë detyrim të shtuar.

Teksa iu referua protestës së ditës së sotme, ajo theksoi se ata tatimpagues që zhvillojnë aktivitetin brenda tregjeve të bashkive, janë jashtë skemës së TVSH.

“Ne kemi ndjekur me vëmendje protestën e sotme të biznesit të vogël. Ata tatimpagues që zhvillojnë aktivitetin brenda tregjeve të bashkive, janë jashtë skemës së TVSH. Këtë duhet të ripërsërisim. Nuk duhet të ketë shqetësim te këta tatimpagues. Ata që do të përfshihen në këtë skemë janë njoftuar më herët”, tha drejtoresha e TVSH.