Ibrahimovic sulmon FIFA-n: S’mund të më ndalojë të luaj në Botërorin e Rusisë

Zlatan Ibrahimoviç ka thënë me guxim se “FIFA nuk mund të më ndalojë”, nëse ai merr vendimin për të luajtur në Kupën e Botës me Suedinë.

Një partneritet tregtar me platformën e lojërave të fatit, “Bethard”, ka kërcënuar se nuk do ta lejojë këtë, si rezultat i rregulloreve të FIFA-s në lidhje me bastet, por Ibrahimoviç këmbëngul se asgjë nuk do ta pengojë atë të jetë në Rusi, nëse vendos ta marrë atë rrugë.

“FIFA nuk mund të më ndalojë. Nëse dua të jem atje, do të jem në Rusi. Ashtu si me ekipin kombëtar, nëse dua të luaj, do të luaj. Kjo nuk është një pyetje për FIFA-n, është një pyetje për mua dhe atë që dua. Dera e Suedisë është e hapur dhe jo e mbyllur”, tha fillimisht ai.

"Nëse gjithçka shkon ashtu siç duhet dhe ndiej se mund të bëj gjërat që jam i aftë për to, siç i kam bërë gjithmonë, atëherë mund të flasim për këtë. Ne jemi në një pozicion, ku unë jam vetëm i lumtur që mund të luaj. Tani dua të luaj futboll, kështu që le të presim. Dhe kur luaj në klubin tim, pastaj do të shohim nëse mund ta bëj këtë edhe në Kupën e Botës”, përfundoi Ibra gjatë një interviste për “Eurosport”.

Kujtojmë që “bomberi” suedez u tërhoq nga përfaqësuesja menjëherë pas përfundimit të Kampionatit Europian “Francë 2016”.