Largimi i këshilltarëve të LSI/ Ja për çfarë kërkon falje Monika Kryemadhi?

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, i ka kërkuar falje shqiptarëve lidhur me listat e këshilltarëve të LSI-së të përzgjedhur nga kjo forcë politike dy vjet më parë, por që sot i janë bashkuar Partisë Socialiste.

“I kërkoj falje votuesve të LSI-së lidhur me këta këshilltarë, pavarësisht se një pjesë e atyre që kanë ikur nuk i përkasin plotësisht LSI-së, por i përkasin partive të tjera dhe shfaqen si të LSI për të krijuar situata qesharake se baza e një partie nuk është dakort me një lëvizje etj.

Por në fakt këto janë grahmat e fundit për një strukturë, e cila po kthehet në qesharake dhe po tallen edhe vetë socialistët me deklaratat që bëjnë”, tha Kryemadhi.   

Kryetarja e LSI tha se janë larguar 20, por janë afruar 70, megjithëse shqiptarëve nuk i intereson shumë se sa këshilltarë kanë ikur nga një forcë në një tjetër.

“Marrëdhënia e LSI është me qytetarët jo me individët. Do të tregohemi shumë të kujdesshëm qoftë për këshilltarët ashtu edhe për deputetët”, tha ajo.