Britania në krah të SHBA/ Asad dhe mbështetësit e tij do të përgjigjen për sulmin kimik...

Kryeministrja britanike, Theresa May tha sot se qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Asad dhe ata që e mbështesin atë, duke përfshirë Rusinë, duhet të përgjigjen nëse gjenden përgjegjës për sulmin e dyshuar me armë kimike pranë Damaskut.

"Këto janë veprime brutale të Asadit dhe regjimit të tij, por edhe ata që mbështesin regjimin, dhe Rusia është sigurisht një prej tyre. Ata duhet të marrin parasysh me kujdes pozicionin që kanë marrë", tha May gjatë një konferencë për gazetarët në Kopenhagë.

"Mbretëria e Bashkuar dënon plotësisht përdorimin e armëve kimike në çdo rrethanë dhe ne duhet ta vlerësojmë urgjentisht atë që ndodhi të shtunën", tha zonja May pas një takimi me kryeministrin danez, Lars Lokke Rasmussen, raporton BBC.

Nga ana tjetër Rusia ka thënë se nuk është gjetur asnjë dëshmi për një sulm me armë kimike ndaj rebelëve në Douma.

Kurse SHBA dhe Franca kanë kërcënuan për një reagim të përbashkët dhe të fortë ndaj sulmit të supozuar nga Damasku.