Bardheblutë fitojnë derbin e kryeqytetit

Prishtina e trajnerit Mirel Josa ka arritur të fitojë derbin lokal përballë Flamurtarit në një ndeshje që e kontrolloi pothuajse totalisht.

Pas vetëm 13 minutash lojë do të ishte mbrojtësi ganez Jamal ai që do të shënonte për Prishtinën.

Flamurtari në pjesën e parë pati vetëm një rast me Shillovën që nuk arriti të godiste saktë.

Pjesa e dytë nisi më mirë përsëri për bardheblutë e Prishtinës, që patën raste të mira, por nuk konkretizuan.

Duhej të vinte minuta e 87-të që Basit Khalid të dyfishonte me një goditje të fuqishme dhe të hipotekonte fitoren.

Prishtina pas kësaj fitoreje mbetet në vendin e dytë me minus 3 pikë nga Drita kryesuese.