E pranon shefi i arbitrave të Serie A: Kemi bërë shumë gabime me sistemin VAR

Dizenjatori i arbitrave në Seria A, Nikola Ricoli, ka bërë një analizë për sa i përket përdorimit të sistemit VAR këtë sezon në ligën italiane.

“Përdorimi i teknologjisë nuk përjashton dot 100% gabimet, por i minimizon ato. Ne ndjekim një protokoll shumë strikt për përdorimin e VAR-it. Megjithatë, përjashto ndeshjet e fundit të Serie A, ne kemi arritur të vërejmë 16 deri në 18 gabime të bëra nga VAR-i” shprehet Ricoli.

Ai gjithashtu apelon që në gjithë vendet ku përdoret të ndiqet i njëjti protokoll për të shmangur diskutimet.

“Ne kemi rregulla të qarta se kur duhet përdorur teknologjia dhe mendoj se të gjithë duhet t’u përmbahen atyre. Ka një protokoll që duhet të jetë i njëjtë për gjithë arbitrat dhe kjo të minimizojë diskutimet”, përfundoi ish-arbitri italian.