5 shenjat paralajmëruese që ju dërgon trupi kur nuk merrni sasinë e duhur të proteinave, ja përse nuk duhet t'i injoroni

Sipas një studimi të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetit, rreth 1 bilionë njerëz në të gjithë botën, kryesisht në Afrikën Qendrore dhe Azinë Jugore, shfaqin probleme serioze shëndetësore si pasojë e mungesës së proteinave bimore dhe shtazore në regjimin e tyre ushqimor. Por, çfarë janë protinat, pse trupi ynë ka aq shumë nevojë për to? Proteinat mund të konsiderohe si “tullat” që i nevojiten organizmit për të ndërtuar inde të reja si edhe për të riparuar ato që tashmë janë dëmtuar. Roli i tyre është shumë esencial për lëkurën,muskujt, kockat, flokët etj. Nëse nuk merrni mjaftueshëm proteina, me kalimin e kohës ato ndikojnë në 5 problemet e mëposhtme:

Rënia e flokëve është një ndër shqetësimet më të përhapura si tek femrat dhe meshkujt. Sipas ekspertëve të shëndetit ajo është e lidhur me faktorë të tillë si dietat drastike, shtatzënia, menopauza, përdorimi i tepruar i piastrës dhe tharëses së flokëve, lyerja e shpeshtë dhe ekspozimi ndaj produkteve stiluese që kanë përmbajtje kimike, çrregullimet e të ngrënit, përdorimi i medikamenteve të caktuara, stresi etj. Por të gjithë këtyrë faktorëve ata i kanë bashkangjitur edhe mungesën e proteinave. Mos harroni që afro 90% e flokëve përbëhet nga proteina e keratinës, mungesa e të cilës i bën flokët tuaj të dobët, pa jetë, të hollë dhe më të zbehtë krahasuar me ngjyrën e zakonshme.

Sipas statistikave, 1 në 5 njerëz vuajnë nga mëlçia e dhjamosur edhe pse nuk e dinë, pasi në ndryshim nga sëmundjet dhe patologjitë e tjera ky organ nuk jep simptoma për një kohë relativisht të gjatë. Studimet e ndryshme kanë treguar që deficienca proteinike është një ndër shkaqet që çojnë në akumulimin e yndyrnave në mëlçi duke reduktuar në këtë mënyrë funksionet bazike të saj. Personat që konsumojnë alkool, apo vuajnë nga obeziteti dhe diabeti paraqesin rrezik më të lartë për t’u prekur nga sëmundjet e mëlçisë.


Pagjumësia është një tjetër problem që shkaktohet si pasojë e mungesës së proteinave në organizëm. Proteinat bimore janë burimi kryesor i ndërtimit të triptofanit, një aminoacid shumë i rëndësishëm i cili ndikon në cilësinë e gjumit. Mjekët rekomandojnë që para se të flini të hani thjerrëza, fara Chia, gjalp kikiriku, kuinoa etj pasi këto ushqime janë shumë të pasura me proteina bimore.

Proteinat janë gjithashtu të rëndësishme për rritjen e qelizave të lëkurës dhe thonjve. Nëse nuk merrni sasinë e mjaftueshme të tyre, thonjtë do të thyhen më shpejtë dhe lëkura do të jetë më e plasaritur. Mungesa e proteinave mund të shkaktojë gjithashtu skuqje ose probleme të tjera dermatologjike.

Proteinat (së bashku me yndyrat) treten më ngadalë se karbohidratet. Nëse konsumoni një vakt që përmban më shumë karbohidrate dhe jo mjaftueshëm proteina, do të tretet më shpejtë dhe do të shkaktojë rritje të niveleve të sheqerit në gjak. Rritja do të pasohet me rënie, dhe në momentin që nivelet e sheqerit në gjak fillojnë të rriten e bien, ju shtohet më shumë dëshira për të ngrënë ëmbëlsira. E rëndësishme është që të konsumoni proteina së bashku me karbohidrate, në mënyrë që gjithçka të tretet më ngadalë dhe ndryshimet e niveleve të sheqerit në gjak të jenë më graduale me kalimin e kohës.