E papritur në Serie A/ Milan zhgënjen me ekipin që lufton për mbijetesë

Milani nuk ia ka dalë të rikthehet te fitorja që tashmë mungon prej 3 javësh, pasi në sfidën e fundit të javës së 31-të të Serisë A, nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 ndaj Sassuolos.

Në “San Siro” që në fillim u duk se nuk do të ishte një mbrëmje e qetë, teksa që në minutën e 6-të Romagnoli u dëmtua dhe u detyrua të lërë fushën e lojës, për t’i bërë vend Musacchios.

Pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola, pavarësisht epërsisë së Milanit në kontrollin e topit dhe në raste shënimi.

Në pjesën e dytë skuadra e Gattusos e shtoi presionin ndaj kundërshtarit, teksa në fushë zbritën edhe sulmuesit Kaliniç dhe Andre Silva, për të rritur praninë në zonën kundërshtare.

Gjithsesi golin e parë e gjetën miqtë, pas një aksioni të bukur të Politanos, që pasi u lirua në hyrje të zonës, goditi nga distanca dhe dërgoi topin në rrjetën e Donnarummës.

Reagimi i Milanit ishte i menjëhershëm, ndërsa goli i barazimit erdhi në minutën e 86-të, kur Kalinic mori një top në zonë, lëvizi bukur dhe gjuajti duke ndëshkuar Sassuolon.

Minutat e mbetura ishin shumë emocionuese, me Milanin që tentoi deri në fund për të gjetur golin e barazimit, por këtë herë tentativa e Kaliniç u ndal nga portieri i miqve, ndërsa tentativa e Milanit për t’u rikthyer te fitorja, u ndal në një barazim 1-1.

Tani kuqezinjtë jo vetëm që humbin përfundimisht shpresat për një vend në zonën Champions, por rrezikojnë shumë edhe për të siguruar pjesëmarrjen në Europa League.