Artan Cuku ‘Qytetar Nderi’ i Dibrës

Ish-drejtuesi i Policisë, Artan Cuku, i cili u vra një vit më parë pranë banesës së tij në Tiranë, është nderuar me titullin ‘Qytetar Nderi’ i Dibrës.

Vendimi është marrë sot nga Këshilli Bashkiak i Dibrës, qytet edhe ku ka lindur komisari Cuku.

Artan Cuku u qëllua për vdekje një vit më parë, teksa po hynte në banesën e tij që ndodhet në rrugën e “Rrugën e Kosovarëve”, pranë Liqenit Artificial.

Për vrasjen e tij, policia arrestoi Mikel Shallarin si ekzekutor i komisarit. Dyshohet se ka persona të tjerë të implikuar në krim, megjithatë, përveç të riut nga Kuçova, asnjë tjetër nuk është vënë në pranga. Shallari, në daljet e tij para gjykatës, ka mohuar se ka pasur gisht në vrasje.

Cuku ka mbajtur pozicione të larta drejtuese në Policinë e Shtetit, ndërsa detyra më e fundit që ka pasur pasi të lirohej nga policie, ka qenë ajo e drejtorit të Policisë së Vlorës.