Rama nis taktikën e përçarjes/ Takon sipërmarrës kuksiane në fshehtësi, por ka frikë të përballet me...

Kryeministri Edi Rama raportohet të ketë pasur një dark pune mbrëmjen e së enjtes me 20 biznesmenë kuksiane.

Rama ka zgjedhur ambientet e Kryeministrisë, larg vëmendjes së publikut dhe medias për të pritur biznesmenët, ndërsa në të ishte i pranishëm edhe Drejtori Rajonal i Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Kukës, Ledian Halilaj, si dhe ministrat Damia Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj.

Takimi me biznesmenët kuksiane, që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në qarkun e Kukësit, vjen në një kohë kur 11 qytetarë nga qyteti në veri të vendit ndodhen në qeli si pjesëmarrës në protestën e 31 marsit, ndërkohë që kundërshtohet vendosja e një tarife për kalimin në Rrugën e Kombit.

Pas video-interpelancës që Rama pati me disa funksionarë dhe punonjës të institucioneve shtetërore në Kukës, Rama ka ndërmarrë hapin tjetër, atë të takimit në fshehtësi me biznesmenët.

Duket se Kryeministri, që ka frikë të përballet me protestuesit e vërtetë, qytetarët e thjeshtë të Kukësit, ka zgjedhur rrugën e përçarjes. Qytetarët e thjeshtë i etiketon vandalë, një pjesë i mban në qeli, të tjerë i përgatit përballjen me drejtësinë, ndërsa një përfaqësi e pret në Kryeministri, duke krijuar dy tablo.   

Sipërmarrësit që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Qarkun e Kukësit, u thirrën nga Rama për të dëgjuar kërkesat e tyre. Biznesmenët i kanë kërkuar kryeministrit që të kenë një përfaqësi të tyre në grupin negociator me koncencionarin përsa i përket pagesës në Rrugën e Kombit, raporton TCH.

Rama citohet të jetë shprehur se procesi do të jetë transparent me pjesëmarrjen e të gjithëve. “Do të ketë reduktim çmimi për banorët e zonës, por jo heqje takse”, ka qenë qëndrimi i Ramës, sipas të cilit fjala “fare” në mospagimin e taksës nuk ekziston.

Kryeministri i ka njohur biznesmenët edhe me planin për të hapur brenda vitit aeroportin e Kukësit, duke ju thënë se është parashikuar që përmes tij të kalojnë 400 mijë udhëtarë në vit.

Nuk është çudi që për të ulur përplasjet dhe revoltën e banorëve të Kukësit, zonës më të varfër në vend, Kryeministri të shpikë lloj lloj projektesh dhe idesh, të cilat nesër mund të mos gjejnë kurrë zbatim.