'Nuk na vinte turp për kriminelët në mesin tonë, duhet të turpërohemi që heshtim për LGBT'

Ende nuk dihet se çfarë po ndodh realisht me deputeten, Vasilika Hysi, por ajo ka disa ditë që lëshon broçkulla pa doganë.

Pedagogia dhe Nënkryetarja e  Kuvendit, pasi e quajtur “poezi” ditën e djeshme fyerjen që Rama i bëri popullit duke e krahasuar “me atë mikun që nuk i ngrihet koka”, sot në përpjekje për të siluruar kolegët deputetë që janë kundër “leksioneve” të LGBT në shkolla dhe martesave gay, lëshoi perlën e radhës.

Vasilika Hysi, tha sot në një aktivitet për këtë çështje se nuk i kishte ardhur turp kur në parlament ishte ulur përkrah deputetëve kriminelë, por duhet të turpërohen ata që nuk flasin për LGBT.

“Në këtë Kuvend krah për krah me ne kanë qenë të ulur kolegë pa integritet, të përfshirë ose të dyshuar për lidhje me botën e krimit ose të korruptuar. Mes nesh ka pasur deputetë, kolegë dhe kolege që nuk e meritonin të ishin në Kuvend dhe janë pranuar dhe nuk na ka ardhur turp që i kemi pasur një pjesë. Ndërsa kur flasim për çështjet e LGBTI ka kolegë që i zë tmerri dhe nuk e pranojnë diskutimin e  kësaj çështje.

Sa herë që ka çështje që lidhen me këtë komunitet ka një hezitim, ka frikë, kanë frikë mos humbasin mbështetësit e tyre në zonat elektorale, disa nuk kanë informacionin e duhur.

Unë i kuptoj, por nuk i mirëkuptoj.

Në këtë kuadër mendojmë se pavarësisht se janë pakica në krahasim me shumicën e deputetëve në Kuvend, Kuvendi i Shqipërisë ka shumë për të bërë. Shumica e kolegëve tanë nga mazhoranca dhe opozita kanë një qasje tjetër për të drejtat e njeriut dhe parandalimin e diskriminimit”, tha Hysi.

Por pasi tha këto fjalë harroi të shtojë, se deputetët kriminelë që u identifikuan pas ligjit të dekriminalizimit të iniciuar nga opozita ishin të gjithë të katapultuar në parlament, nga shefi i saj Edi Rama.