Pse vjen neser në Kosovë Marko Gjuriq, Pacolli i ka dhënë leje

Marko Gjuriq nesër vjen në Kosovë, legalisht. Ministria e Punëve të Jashtme i ka dhënë leje për të hyrë në Kosovë e këtë e ka konfirmuar Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli

Më pak se dy javë kanë kaluar që nga dita kur u arrestua nga Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës, drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, pasi Ministria e Punëve të Jashtme, nuk i kishte dhënë leje për ta vizituar Veriun.

“Po, kërkesa i është aprovuar në frymën e paqes dhe mirëkuptimit me rastin e festës së pashkëve ortodokse”, ka thënë Zyberaj për Express.

“Pa marrë parasysh që është zyrtar, ai sikurse secili pelegrin tjetër e gëzon të drejtën që të lutet në cilëndo kishë që ai dëshiron.

Por, këshilltari i Pacollit thotë se Gjuriqit i është treguar vendi herën e kaluar dhe tani ai do të sillet në pajtim me ligjin në Kosovë.

“Rregullat do t’i respektojë ngase është përballur dhe është njohur me realitetin e ri në Kosovë dhe nëpërmjet tij, me këtë realitet është njohur secili zyrtar i shtetit serb”, ka thënë ai.