Morën peng të riun, dy në pranga dhe dy në kërkim

Policia e Kuçovës ka arrestuar dy persona dhe dy të tjerë i ka shpallur në kërkim pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin ata kanë mbajtur për dy orë një person peng duke i hequr lirinë. Policia tha se kjo ngjarje ka ndodhur në terminalin e autobusëve. Por mësohet se këta persona e akuzonin 18­vjeçarin se ka ngacmuar vajzën e njërit prej tyre. Policia po punon për kapjen e autorëve të tjerë.

Në njoftimin e policisë thuhet se: Nga Specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi i shtetasve: K.H, 38 vjeç, banues në lagjen 11 Janari, Kuçovë.  Ç.T 23 vjeç, banues në Divjakë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit: A.H, 35 vjeç. A.P.H, 41 vjeç, të dy banues në lagjen 11 Janari, Kuçovë.

Arrestimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve të lartpërmendur u bë pasi për rreth dy orë në mjediset e Terminalit të autobuzave në lagjen “Tafil Skëndo”, Kuçovë, për motive të dobëta i kanë hequr në mënyrë të paligjshme lirinë shtetasit E.K, 18 vjeç, banues në lagjen 11 Janari, Kuçovë. Po punohet për kapjen e autorëve të tjerë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale “Heqje e paligjshme e lirisë e kryer në bashkëpunim”.